Në kuadër të organizimit të Semestrit të Federatës Evropiane të Psikologëve, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor mori pjesë në takimin ndërinstitucional të organizuar nga Urdhri i psikologut me temë ‘‘Sfidat e shërbimit psikologjik në Shqipëri, pas ngritjes së Urdhrit të Psikologut’’.

Semestri është planifikuar të realizohet gjatë periudhës janar-qershor 2024 dhe synimi është që të bëjë bashkë profesionistë psikologë për të shkëmbyer përvojat dhe për t’u angazhuar në dialog mbi sfidat e shërbimit psikologjik në Shqipëri për të ofruar më shumë shërbime cilësore për qytetarët dhe komunitetin.

Gjatë këtij takimi u diskutua, analizua dhe ngritën sugjerime për përmisimin e shërbimeve dhe standarteve. Kjo punëtori synon të trajtojë sfidën institucionale të shërbimit psikologjik në institucionet arsimore, të kujdesit social dhe shëndetësor duke përfshirë dhe tema të lidhura me politikën ndërsektoriale, aksesin dhe qëndrueshmërinë e sistemit për shërbimin psikologjikë në kohë.

Përfaqësueset e Operatorit Qendror, znj. Marsida Merdani dhe znj. Elona Xhepi trajtuan në këtë punëtori reformat e ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në ofrimin e shërbimive socio-shëndetësore pranë institucioneve të kujdesit shëndetësor parësor. Më konkretisht u theksua shndërrimi i qendrave shëndetësore në qendra socio-shëndetësore, rolet psikologëve/ punonjësve socialë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, si pjesë e ekipeve multidisiplinare pranë qendrave shëndetësore në mbarë vendin.

Punëtoritë e planifikuara deri në qershor 2024, do të përfshijnë edhe psikologët e punonjësit socialë të qendrave socio-shëndetësore me qëllim ofrimin e shërbimeve sa më cilësore në standarde të këtij shërbimi.