Në datën 27 prill 2026, në ambientet e Instituti i Shëndetit Publik u zhvillua një takim trajnues me temë “Trajnim për Survejancën e Sëmundjeve Infektive, Sistemin e Integruar të Sëmundjeve Infektive SISI dhe Sistemin Informativ të Vaksinave SIV”, i ofruar nga Instituti i Shëndetit Publik. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Drejtoria Qendrore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, si dhe përfaqësues nga katër Drejtoritë Rajonale të OSHKSH, duke kontribuar në një proces të rëndësishëm bashkëpunimi dhe shkëmbimi profesional.

Gjatë pjesës së parë të takimit, u trajtua kuadri ligjor mbi raportimin e sëmundjeve infektive, duke theksuar rëndësinë e zbatimit korrekt të detyrimeve ligjore nga strukturat shëndetësore. Pjesëmarrësit u njohën më në detaje me funksionimin dhe përdorimin praktik të Sistemit të Integruar të Sëmundjeve Infektive (SISI), duke përfshirë mënyrën e raportimit dhe gjenerimit të të dhënave përmes këtij sistemi, që luan një rol kyç në monitorimin dhe kontrollin e situatave epidemiologjike.

Në vijim, aktiviteti u përqendrua në çështjet që lidhen me vaksinimin, ku u diskutua kalendari kombëtar i vaksinimit dhe rëndësia e zbatimit të tij në mënyrë rigoroze. Gjithashtu, u zhvillua trajnim mbi përdorimin e Sistemit Informativ të Vaksinave (SIV), duke përfshirë mënyrat e regjistrimit të të dhënave dhe nxjerrjen e raporteve të nevojshme për analizë dhe vendimmarrje.

Ky takim shërbeu si një platformë e vlefshme për shkëmbimin e përvojave dhe përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave qendrore dhe rajonale. Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat rajonale, vijon të mbetet i angazhuar në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve të shëndetit publik, duke fuqizuar sistemet e survejancës dhe rritur efikasitetin në menaxhimin e informacionit shëndetësor.