Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor mori pjesë në “Lifestyle Conference 2026”, një konferencë shkencore e cila tashmë në edicionin e saj të dytë po konsolidohet si një platformë e rëndësishme për trajtimin e ndikimit të stilit të jetesës në shëndet dhe reduktimin e risqeve përmes qasjeve multidisiplinare.
Në këtë aktivitet, që u zhvillua në Tiranë dhe mblodhi ekspertë nga fusha të ndryshme si mjekësia, farmacia, stomatologjia, psikologjia, toksikologjia dhe komunikimi shëndetësor, OSHKSH u përfaqësua nga Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme, znj. Rexhina Bici, e cila mbajti fjalën përshëndetëse në hapjen zyrtare të konferencës.
Në fjalën e saj, znj. Bici vlerësoi rëndësinë e nismave të tilla shkencore që promovojnë parandalimin si një nga shtyllat kryesore të sistemeve moderne shëndetësore, duke theksuar se ndërhyrjet mbi stilin e jetesës janë thelbësore për uljen e barrës së sëmundjeve kronike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Ajo nënvizoi rolin e institucioneve shëndetësore në orientimin e shërbimeve drejt kujdesit të integruar, ku edukimi shëndetësor, ndërgjegjësimi dhe ndërhyrjet në komunitet marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe.
Gjithashtu, u evidentua nevoja për bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërdisiplinor, në mënyrë që të ndërtohen politika dhe praktika efektive për reduktimin e faktorëve të riskut, duke përfshirë aspektet fizike, mendore dhe sociale të shëndetit. Në këtë drejtim, OSHKSH mbetet e angazhuar për të forcuar rolin e kujdesit shëndetësor parësor dhe për të mbështetur iniciativa që rrisin kapacitetet parandaluese në të gjithë vendin.
Konferenca u karakterizua nga një program i pasur shkencor me prezantime, panele multidisiplinare dhe diskutime të hapura, ku pjesëmarrësit ndanë përvoja dhe praktika konkrete mbi sfidat aktuale të shëndetit publik. Pjesëmarrja e gjerë dhe interaktiviteti me audiencën e kthyen këtë aktivitet në një hapësirë të vlefshme dialogu profesional dhe reflektimi.
Pjesëmarrja e OSHKSH në këtë konferencë përforcon angazhimin institucional për promovimin e shëndetit dhe parandalimin e sëmundjeve, duke kontribuar në zhvillimin e një qasjeje të qëndrueshme dhe të integruar në shërbimet shëndetësore në Shqipëri.
