Në Shkup, Maqedonia e Veriut, u zhvillua trajnimi njëjavor “Data Visualization, Artificial Intelligence & Power BI”, i përqendruar në zhvillimin e aftësive për analizën, përpunimin dhe prezantimin e të dhënave, si dhe në përdorimin e teknologjive digjitale për mbështetjen e vendimmarrjes institucionale.

Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor u përfaqësua në këtë trajnim nga Elis Muço, i cili mori pjesë në shkëmbimin e njohurive dhe përvojave profesionale mbi përdorimin e këtyre mjeteve në përmirësimin e proceseve të punës.

Programi trajtoi ndërtimin e raporteve interaktive, vizualizimin e treguesve dhe përdorimin e Power BI për ta kthyer informacionin në të dhëna të strukturuara, të kuptueshme dhe të dobishme për analizë. Vëmendje iu kushtua edhe rolit të inteligjencës artificiale në përpunimin e informacionit dhe rritjen e efikasitetit të punës.

Në fushën e shëndetësisë, këto njohuri mund të mbështesin monitorimin e treguesve, vlerësimin e performancës së shërbimeve, identifikimin e nevojave dhe planifikimin e burimeve. Përdorimi i mjeteve të analizës dhe vizualizimit të të dhënave ndihmon në krijimin e një pasqyre më të qartë të situatës dhe në mbështetjen e vendimeve të bazuara në të dhëna.

Përveç përgatitjes teknike, trajnimi ofroi mundësi për shkëmbimin e përvojave ndërkombëtare dhe njohjen me praktika që mund të përshtaten me nevojat e institucionit. Pjesëmarrja në këtë veprimtari kontribuon në forcimin e kapaciteteve profesionale të OSHKSH-së, në funksion të përmirësimit të menaxhimit të shërbimeve shëndetësore dhe ofrimit të një kujdesi më cilësor për qytetarët.