Në datat 12-13 shtator 2025, në Qendrën Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijët në Kombinat, Tiranë, u zhvillua një trajnim i dedikuar shëndetit mendor të fëmijëve dhe sfidave të shërbimit shëndetësor në mbështetje të këtij targeti.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të angazhimit për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj fëmijëve me çrregullime të neurozhvillimit duke nxjerrë në pah nevojën për qasje të integruar dhe gjithëpërfshirëse.
Gjatë trajnimit, u analizuan çrregullimet e neurozhvillimit, ku u theksua roli i faktorëve neurobiologjikë dhe gjenetikë që ndikojnë në zhvillimin e trurit, si dhe format më të zakonshme të çrregullimeve te fëmijët, si çrregullimi i deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit, çrregullimet e gjuhës dhe të folurit, dhe ato të koordinimit motorik. U vlerësua rëndësia e diagnostikimit të hershëm dhe përdorimit të mjeteve standarte në vlerësim, ndërkohë që u prezantuan strategjitë dhe format e ndërhyrjes së hershme me fokus në zhvillimin gjithëpërfshirës të fëmijës.
Një pjesë e rëndësishme e programit iu kushtua çrregullimeve të spektrit të autizmit (ASD), duke u ndalur te vështirësitë në komunikim social, sjelljet e përsërituara dhe interesat e kufizuara. U theksua domosdoshmëria e identifikimit të hershëm dhe përfshirjes së familjes në proçesin e ndërhyrjes, si dhe u prezantuan modele ndërhyrjeje efektive, si ABA, TEACCH, dhe qasjet multisensore.
Gjithashtu, trajnimi u ndal edhe tek aftësia e kufizuar intelektuale, ku u ofrua një përkufizim i diferencuar nga çrregullimet e tjera neurozhvillimore, trajtim i niveleve të funksionimit intelektual dhe rëndësia e mbështetjes së përshtatur për çdo nivel. U diskutua mbi rëndësinë e një vlerësimi multidisiplinar dhe e hartimit të planeve individuale të ndërhyrjes (PII)
Një pjesë me rëndësi e trajnimit lidhej me aspektet funksionale dhe ligjore të ndërhyrjes së hershme, ku u diskutua kuadri ligjor që rregullon shërbimet për fëmijët me nevoja të veçanta, roli i institucioneve shëndetësore dhe arsimore në ofrimin e këtyre ndërhyrjeve, si dhe sfidat dhe boshllëqet aktuale në zbatimin praktik të legjislacionit ekzistues.
Disa aspekte të rëndësishme të trajnimit përfshinin politikat dhe qasjet ndaj shëndetit mendor në Shqipëri për vitet në vijim, me fokus te prioritetet e reja në politikat kombëtare, reformat në sistemin shëndetësor për përfshirjen e ndërhyrjeve të hershme dhe shërbimeve për fëmijët me çrregullime neurozhvillimore, si dhe drejtimi i një sistemi gjithëpërfshirës, ndërsektorial dhe të bazuar në komunitet.
Ky trajnim ishte një mundësi e rëndësishme për të përforcuar njohuritë mbi çështjet kyçe të neurozhvillimit, si dhe për të reflektuar mbi praktikat aktuale në Shqipëri dhe drejtimet që duhet të ndjekin profesionistët për të përmirësuar ndërhyrjen ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta.
Pjesëmarrja aktive e institucionit të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor pasqyron përkushtimin në përmirësimin e shërbimeve gjithëpërfshirëse për fëmijët në Shqipëri.