Operatori Qendror (Drejtorja e Përgjithshme, znj. Jeta Deda, Drejtori Rajonal i Vlorës, z. Lorenc Rexho dhe Drejtorja e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, znj. Fleura Truja), së bashku me përfaqësues të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) (znj. Zhenihen Zanaj), GFA Consulting Group GmbH (drejtuesja e projektit, znj. Christina Vladu & drejtuesit e komponentëve të projektit, znj. Mirela Çela, z. Filip Vila dhe z. Ervin Toçi) dhe të shoqatës “Together for Life” (znj. Reda Pinderi & znj. Alketa Lamani) organizuan takime të dedikuara me Drejtorinë Rajonale të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Vlorë dhe njësi të tjera të kujdesit shëndetësor parësor e aktorë të tjerë akademikë në Vlorë.
Takimet prezantuese janë pikënisje e zbatimit të projektit “SOLIDAR – së bashku në emergjencat shëndetësore”, një projekt i madh aftësues për stafet shëndetësore të qendrave shëndetësore 24-orëshe dhe spitaleve bashkiake në vend në rastet e emergjencave shëndetësore.
Projekti synon përfshirjen e komuniteteve për akses të përmirësuar në shërbime cilësore të kujdesit urgjent shëndetësor, të menaxhuar nga një sistem urgjence shëndetësore elastik e i qëndrueshëm në çdo nivel.
Operatori Rajonal i Vlorës ka qenë pjesë aktive që në fazën parapërgatitore të projektit me ekipin e vet që ka spikatur në tryezat ravijëzuese, si rasti i Drejtores së Shëndetit Publik në Operatorin Rajonal të Vlorës, znj. Ina Islamaj, e cila do të orientojë dhe udhëheqë procesin në gjithë rajonin dhe njësitë e përzgjedhura së bashku me organizatën implementuese.
Strukturat vendore të kujdesit parësor e spitalor që do të preken nga ky projekt janë mobilizuar për mbledhjen e të dhënave lidhur me proceset statistikore të shëndetit publik, trajnimeve të stafeve mjekësore, gjendjen e pajisjeve mjekësore dhe aktorët komunitarë që duhet të përfshihen në proces dhe Operatori Rajonal i Vlorës (OSHKSH Vlorë) do të koordinojë procesin në dobi të përfitimit nga ky projekt.