Në kuadër të fazës së dytë të projektit “Shkollat për Shëndetin” u organizua një takim me aktorët kryesorë të përfshirë, i cili shërbeu si një moment reflektimi mbi ecurinë e vitit të parë të implementimit dhe si një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të ndërhyrjeve në vijim. Gjatë këtij takimi u prezantuan rezultatet e arritura deri më tani, duke u ndalur në ndikimin që ndërhyrjet kanë pasur në nivel shkolle, komuniteti dhe institucional, si dhe në progresin e bërë në promovimin e stilit të jetesës së shëndetshme tek fëmijët dhe familjet e tyre.
Takimi mblodhi së bashku përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, Instituti i Shëndetit Publik, Save the Children Albania dhe Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, i cili u përfaqësua nga z. Lorenc Hashorva. Pjesëmarrja e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor në këtë tryezë ishte një kontribut i rëndësishëm në drejtim të thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në forcimin e rolit të shërbimeve shëndetësore në mbështetje të shkollave dhe komunitetit.
Diskutimet u përqendruan gjithashtu në planin e punës për vitin e dytë të implementimit për periudhën Maj 2026 – Prill 2027, duke vënë theksin tek qëndrueshmëria dhe institucionalizimi i ndërhyrjeve të ndërmarra. Një tjetër element i rëndësishëm ishte procesi i kapitalizimit, i cili synon të mbledhë dhe të strukturojë përvojat më të mira dhe mësimet e nxjerra, në mënyrë që ato të shërbejnë si referencë për përmirësimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të projektit në nivel kombëtar.
Për Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, ky takim përfaqëson një mundësi konkrete për të rritur ndikimin e tij në nisma që lidhin shëndetin me edukimin, duke kontribuar në ndërtimin e një qasjeje të integruar dhe afatgjatë për mirëqenien e fëmijëve. Angazhimi në këtë proces jo vetëm që forcon rolin institucional, por edhe krijon hapësira për zbatimin e praktikave më efektive në shërbimet e kujdesit shëndetësor, në funksion të një shoqërie më të shëndetshme dhe më të ndërgjegjshme.
