Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale zhvilloi një takim me personelin mjekësor të kujdesit shëndetësor parësor të të gjithë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Kavajë, për të diskutuar nga afër nevojat e profesionistëve të shëndetit dhe ndërhyrjet e nevojshme për përmirësimin e organizimit të shërbimeve dhe lehtësimin e barrës së pacientëve.
Në takim morën pjesë gjithashtu Drejtoresha e Përgjithshme e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Jeta Deda, dhe Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme, Rexhina Bici, së bashku me drejtues dhe përfaqësues të strukturave shëndetësore të Kavajës.
Diskutimi u fokusua në problematikat e hasura në punën e përditshme, nevojat për ndërhyrje në infrastrukturë dhe organizim, përmirësimin e koordinimit ndërmjet kujdesit parësor dhe atij spitalor, si dhe krijimin e mekanizmave që e bëjnë më të thjeshtë dhe më të shpejtë rrugëtimin e qytetarit brenda sistemit shëndetësor.
Tetori Rozë ishte gjithashtu një nga temat e rëndësishme të takimit, duke përcjellë edhe një herë thirrjen për të gjitha gratë dhe vajzat që të kryejnë kontrollet në kohë, pasi diagnostikimi i hershëm shpëton jetë.
Një zhvillim i rëndësishëm për Kavajën është edhe iniciativa që, për herë të parë, në bashkëpunim me Shoqatën Europiane të Kolposkopisë, të realizohet një program i plotë depistimi për gratë e moshës 25–55 vjeç, duke përfshirë të gjithë ciklin e kujdesit, nga depistimi dhe diagnostikimi deri te orientimi dhe trajtimi i nevojshëm.
Kjo nismë realizohet falë angazhimit të Drejtorit të Spitalit Kavajë, Arben Rrugia, dhe bashkëpunimit ndërmjet strukturave të kujdesit shëndetësor, me synimin që gratë e Kavajës të kenë akses më të hershëm, më të plotë dhe më pranë vendbanimit në shërbimet parandaluese dhe diagnostikuese.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor do të vijojë mbështetjen dhe koordinimin me strukturat vendore dhe spitalore, me prioritet përmirësimin e aksesit, cilësisë së shërbimit dhe reduktimin e barrës që qytetarët përballojnë për të marrë kujdesin shëndetësor që u nevojitet.
