Lidhur me ngjarjen e fundit, sjellë në vëmendjen tonë nga një emision investigativ në media kombëtare, sa i përket sjelljes së një punonjësi të vendosur në fshatin rural Plezhë të Njësisë Administrative Bushat, Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (Operatori Rajonal) Shkodër nisi një verifikim administrativ të menjëhershëm.

Pas shqyrtimit të plotë se infermieri në fjalë ka neglizhuar detyrat në institucionin shëndetësor publik  dhe është përfshirë në aktivitete private që nuk kanë lidhje me përgjegjësitë e tij zyrtare, gjatë orarit të rregullt të punës, u vërejt se nuk kishim të bënim vetëm me një shkelje e etikës profesionale, por edhe një humbje të besimit të dhënë ndaj profesionistëve të kujdesit shëndetësor nga komuniteti të cilit i shërbejnë.

Detyrimi parësor i punonjësve të kujdesit shëndetësor është të ofrojnë kujdes dhe mbështetje cilësore për personat në nevojë, veçanërisht në zonat rurale si Plezha.

Në përgjigje të këtyre gjetjeve, Operatori Rajonal Shkodër ka ngritur menjëherë një komision disiplinor për të trajtuar çështjen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Konfirmohet se infermieri ka ndërprerë marrëdhëniet e punës me institucionin shëndetësor publik.

Gjithashtu, masa disiplinore po ndiqen edhe ndaj zinxhirit drejtues përgjegjës për mbikëqyrjen e aktiviteteve të profesionistëve të kujdesit shëndetësor parësor. Është e domosdoshme që të gjitha nivelet e drejtimit brenda institucionit tonë të respektojnë standardet më të larta të integritetit dhe llogaridhënies.

Kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim që kjo situatë mund t’u ketë shkaktuar banorëve të Plezhës dhe rikonfirmojmë angazhimin tonë për të siguruar ofrimin e shërbimeve cilësore të kujdesit shëndetësor për të gjitha komunitetet nën kujdesin tonë.

Shprehim mirënjohjen tonë për ekipin e gazetarëve investigative për raportimin e tyre, i cili luajti një rol vendimtar në nxjerrjen në dritë të kësaj çështjeje dhe ruajtjen e transparencës në sistemin tonë shëndetësor.