Nga data 19-26 Ttetor 2024, në Mezzoldo, rajoni i Lombardisë, Itali, u zhvillua një kurs trajnimi ndërkombëtar me temën “From Group to Team – Nga grupi në ekip”, organizuar nga Global Circle në bashkëpunim me programin Erasmus+ të Bashkimit Evropian. Ky kurs i fokusuar në avancimin e bashkëpunimit dhe efektivitetit të ekipeve kishte për synim të promovojë praktika moderne dhe pozitive në menaxhimin e grupeve, veçanërisht për të rinjtë dhe profesionistët e sektorit shëndetësor.
Në këtë event përfaqësues nga Shqipëria ishte z. Elis Muço, Përgjegjës i Sektorit të Ofrimit të Shërbimeve Shëndetësore pranë Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, i cili përfitoi nga ky trajnim për të ndarë dhe aplikuar këto praktika të reja në kuadër të zhvillimit të ekipeve brenda institucioneve shëndetësore publike dhe institucioneve menaxhuese.
Ky aktivitet njëjavor i ofroi pjesëmarrësve një sërë aftësish dhe metodash për të kuptuar dhe përmirësuar dinamikat e punës brenda ekipeve të tyre, duke përfshirë zhvillimin e kuptimit të menaxhimit efektiv të ekipeve dhe tejkalimin e sfidave që sjellin dinamikat e grupit, implementimin e 10 metodave joformale të menaxhimit të grupit që ndihmojnë në bashkëpunimin e përditshëm dhe rritjen e efektivitetit të ekipit, kultivimin e sjelljeve pozitive dhe proaktive mes të rinjve dhe punonjësve, duke inkurajuar përshtatshmërinë dhe bashkëpunimin në menaxhimin e ekipeve.
Përveç sesioneve të përqendruara në teorinë dhe praktikën e menaxhimit, trajnimi përfshiu aktivitete të përditshme në grup, të cilat lejuan pjesëmarrësit të demonstronin dhe forconin aftësitë e fituara. Një tjetër element i veçantë i këtij kursi ishte prezantimi ndërkulturor, ku pjesëmarrësit ndanë elemente nga kulturat e tyre, duke theksuar rëndësinë e diversitetit në forcimin e ekipeve.
Kursi u drejtua nga trajnerë të certifikuar nga programi Erasmus+, dhe përfshiu profesionistë të sektorit të shëndetësisë, arsimit, pushtetit vendor dhe përfaqësues të organizatave jo-fitimprurëse nga vende të ndryshme evropiane, të cilët ndanë përvojat dhe ekspertizën e tyre. Në përfundim, të gjithë pjesëmarrësit u pajisën me certifikata pjesëmarrjeje dhe dokumentin e njohur si EU Youthpass, të vlefshëm në të gjitha shtetet evropiane.