Operatori (Drejtorja e Përgjithshme, znj. Jeta Deda, Drejtori Rajonal i Vlorës, z. Lorenc Rexho dhe Drejtorja e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, znj. Fleura Truja), së bashku me përfaqësues të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) (znj. Zhenihen Zanaj), GFA Consulting Group GmbH (drejtuesja e projektit, znj. Christina Vladu & drejtuesit e komponentëve të projektit, znj. Mirela Çela, z. Filip Vila dhe z. Ervin Toçi) dhe të shoqatës “Together for Life” (znj. Reda Pinderi) organizuan takime të dedikuara me Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Tepelenë dhe Spitalin bashkiak të Tepelenës.
Takimet prezantuese janë pikënisje e zbatimit të projektit “SOLIDAR – së bashku në emergjencat shëndetësore”, një projekt i madh aftësues për stafet shëndetësore të qendrave shëndetësore 24-orëshe dhe spitaleve bashkiake në vend në rastet e emergjencave shëndetësore.
Projekti synon përfshirjen e komuniteteve për akses të përmirësuar në shërbime cilësore të kujdesit urgjent shëndetësor, të menaxhuar nga një sistem urgjence shëndetësore elastik e i qëndrueshëm në çdo nivel.
Strukturat vendore të kujdesit parësor e spitalor që do të preken nga ky projekt janë mobilizuar për mbledhjen e të dhënave lidhur me proceset statistikore të shëndetit publik, trajnimeve të stafeve mjekësore, gjendjen e pajisjeve mjekësore dhe aktorët komunitarë që duhet të përfshihen në proces.