Më 24 qershor 2026, në Qendrën Multifunksionale të Fëmijëve, pranë Teatrit të Kukullave në Pogradec, u zhvillua aktiviteti për prezantimin e studimit “Anketa e perceptimit të komunitetit për martesat e hershme në Bashkitë Korçë, Pogradec, Maliq dhe Devoll”, i organizuar nga Bashkia Pogradec dhe UNFPA Shqipëri, në kuadër të projektit “Reduktimi i Dhunës me Bazë Gjinore dhe Praktikave të Dëmshme përmes Qeverisjes të Përgjegjshme ndaj Çështjeve Gjinore”, i financuar nga Qeveria Italiane dhe i zbatuar nga UNFPA, në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë.

Nga Drejtoria Qendrore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor morën pjesë Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme, znj. Rexhina Biçi, si dhe z. Afrim Azuni, Përgjegjës i Sektorit të Harmonizimit të Kuadrit Rregullator, duke rikonfirmuar angazhimin institucional të OSHKSH-së në mbështetje të politikave për mbrojtjen e grupeve vulnerabël dhe promovimin e barazisë gjinore.

Aktiviteti u çel me fjalët përshëndetëse të znj. Entela Gusho, Nënkryetare e Bashkisë Pogradec, znj. Ivana Capollari, Drejtore e Shërbimeve Sociale në Bashkinë Pogradec, dhe znj. Elsona Agolli, Analiste Programi për Çështjet Gjinore dhe Popullsinë në UNFPA Shqipëri, të cilat theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në parandalimin e martesave të hershme dhe mbrojtjen e të drejtave të vajzave.

Gjatë aktivitetit u prezantuan rezultatet e studimit të realizuar nga organizata Albania Community Assist (ACA), në bashkëpunim me UNFPA, i fokusuar në bashkitë Korçë, Pogradec, Maliq dhe Devoll, me vëmendje të veçantë ndaj komuniteteve rome dhe egjiptiane. Gjetjet evidentuan perceptimet e komunitetit mbi martesat e hershme dhe nevojën për ndërhyrje të koordinuara ndërinstitucionale për parandalimin e këtij fenomeni.

Në fjalën e saj, Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e OSHKSH-së, znj. Rexhina Biçi, theksoi se martesat e hershme dhe barazia gjinore kërkojnë politika publike të koordinuara, bashkëpunim ndërinstitucional dhe vendimmarrje të bazuar në evidencë. Ajo nënvizoi se çdo vajzë, grua apo i ri duhet të ketë akses të barabartë në informacion dhe shërbime shëndetësore cilësore, ndërsa rrjeti i kujdesit shëndetësor, veçanërisht kujdesi parësor, ka një rol kyç në identifikimin e hershëm të rasteve vulnerabël, edukimin shëndetësor dhe referimin e tyre në strukturat përkatëse.

Aktiviteti shërbeu si një platformë e rëndësishme dialogu dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike, organizatave partnere dhe aktorëve lokalë, duke forcuar angazhimin e përbashkët për parandalimin e martesave të hershme, promovimin e barazisë gjinore dhe garantimin e shërbimeve më gjithëpërfshirëse për komunitetin.