Drejtoresha e Përgjithshme e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), znj. Jeta Deda, mori pjesë në takimin përgatitor për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Garancinë e Fëmijëve, të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Takimi u zhvillua me pjesëmarrjen e institucioneve përgjegjëse për zbatimin e planit dhe kishte në fokus prezantimin e objektivave të Planit Kombëtar të Veprimit për Garancinë e Fëmijëve, mekanizmave të koordinimit ndërinstitucional, si dhe diskutimin mbi masat dhe aktivitetet prioritare për vitin 2026. Gjatë takimit u analizua niveli i realizimit të masave nga institucionet përgjegjëse, ndërsa u evidentuan nevojat për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional për zbatimin efektiv të planit.

Në kuadër të diskutimeve u trajtuan edhe masat që lidhen me sektorin e shëndetësisë, të cilat synojnë garantimin e aksesit të barabartë të fëmijëve në shërbime cilësore shëndetësore, zgjerimin e Programit të Vizitave në Shtëpi, forcimin e depistimit dhe identifikimit të hershëm, si dhe zhvillimin e shërbimeve të integruara të kujdesit shëndetësor dhe shëndetit mendor për fëmijët, veçanërisht për ata në situata vulnerabël. Gjatë fjalës së saj, Drejtoresha e Përgjithshme e OSHKSH-së theksoi rëndësinë e programeve të depistimit shëndetësor që OSHKSH zbaton në shkolla, duke veçuar depistimin e shikimit, shëndetit oral dhe skoliozë, si programe që kontribuojnë në identifikimin e hershëm të problematikave shëndetësore dhe përmirësimin e shëndetit të fëmijëve.

Pjesëmarrja e OSHKSH-së në këtë takim rikonfirmon angazhimin e institucionit për të kontribuar në zbatimin e politikave kombëtare që synojnë mbrojtjen, mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve, nëpërmjet forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve të kujdesit shëndetësor.