Në Drejtorinë Qendrore të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor u zhvillua takimi i parë koordinues për procesin e unifikimit dhe standardizimit të protokolleve mjekësore në spitalet rajonale të vendit. Takimi u drejtua nga Zv. Drejtoresha e Përgjithshme e OSHKSH-së, Rexhina Bici, me pjesëmarrjen e Afrim Azuni përgjegjës i Sektorit të Harmonizimit të Kuadrit Rregullator dhe Dorjana Xhaferaj, specialiste në Drejtorinë e Financave dhe Shërbimeve Mbështetëse. Në takim morën pjesë shefat e shërbimeve të urgjencës nga spitalet rajonale.

Gjatë takimit u prezantuan objektivat, metodologjia e punës dhe hapat që do të ndiqen për inventarizimin, rishikimin, hartimin dhe standardizimin e protokolleve mjekësore, në përputhje me praktikat klinike të bazuara në evidencë dhe standardet europiane. Procesi synon krijimin e një strukture të unifikuar protokollesh për spitalet rajonale, me mekanizma të qartë monitorimi, validimi dhe zbatimi.

Qëllimi i këtij procesi është garantimi i ofrimit të kujdesit shëndetësor sipas të njëjtave standarde në të gjitha spitalet rajonale, duke siguruar trajtim të njëjtë për pacientët pavarësisht institucionit ku marrin shërbimin. Në vijim do të realizohet inventarizimi i protokolleve ekzistuese, identifikimi i nevojave për përditësim ose hartim të protokolleve të reja, si dhe organizimi i takimeve sipas grupimeve të shërbimeve për përmbylljen e procesit të standardizimit dhe validimit përfundimtar.