Drejtoresha e Përgjithshme e OSHKSH, znj. Jeta Deda, zhvilloi një takim me ekipin drejtues të projektit SOLIDAR, të kryesuar nga Team Leader znj. Lina Brandt, me pjesëmarrjen edhe të Zëvendësdrejtoreshës së Përgjithshme të OSHKSH, znj. Rexhina Bici. Takimi u zhvillua në kuadër të vijimit të bashkëpunimit për forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor në Shqipëri dhe rritjen e gatishmërisë për përballimin e emergjencave.
Gjatë diskutimeve, palët u ndalën tek hapat konkretë të fazës së ardhshme të projektit SOLIDAR, me fokus të veçantë në fuqizimin e personelit shëndetësor për organizimin dhe zhvillimin e simulimeve të emergjencave në komunitet. Ky proces do të mbështetet përmes metodologjive praktike dhe trajnimeve të dedikuara, me synim rritjen e kapaciteteve profesionale dhe koordinimin më efikas në situata emergjente.
Një tjetër çështje e rëndësishme e trajtuar gjatë takimit ishte vijimi i procesit të shpërndarjes së tabletëve për digjitalizimin e të dhënave të emergjencave dhe integrimin e tyre në sisteme të informatizuara. Ky investim synon përmirësimin e raportimit, koordinimit dhe reagimit në kohë reale, duke kontribuar në modernizimin e shërbimeve shëndetësore dhe rritjen e eficiencës së menaxhimit të emergjencave.
Në fokus të diskutimeve ishte gjithashtu fillimi i procesit për shpërndarjen e pajisjeve mjekësore në qendrat shëndetësore dhe spitalet bashkiake. Kjo mbështetje synon të rrisë gatishmërinë dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore në nivel lokal, duke forcuar kapacitetet e strukturave shëndetësore për t’iu përgjigjur nevojave të komunitetit.
OSHKSH mbetet e angazhuar në forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për ndërtimin e një sistemi shëndetësor më të qëndrueshëm, më të koordinuar dhe më të përgatitur për përballimin e emergjencave dhe sfidave të ardhshme në fushën e shëndetësisë.