Në Operatorin Rajonal Shkodër u zhvillua një aktivitet i rëndësishëm trajnimi, organizuar nga Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me UNICEF dhe Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor. Ky trajnim u fokusua në monitorimin dhe zbatimin e manualit “Për sistemin e monitorimit të praktikave të të ushqyerit për fëmijët 0-2 vjeç dhe rritjen për fëmijët 0-5 vjeç” brenda qendrave të kujdesit shëndetësor parësor.
Stafi shëndetësor i njësive vendore të kujdesit shëndetësor u njohën me praktikat e monitorimit nga pedagoget e nderuara Prof. Dr. Gentiana Qirjako dhe Dr. Rudina Çumashi. Në trajnim morën pjesë stafi përfaqësues nga operatorët vendorë, si dhe pjesëmarrës nga Operatoir Rajonal Shkodër. Znj. Marsida Merdani dhe znj. Elona Xhepi nga Drejtoria Qendrore e Operatorit siguruan përfshirjen e të gjitha pikave kontaktuese të përcaktuara nga Operatorët Vendore.
Me përfundimin e këtij trajnimi u përmbyll cikli i trajnimeve të planifikuara në të katër rajonet. Objektivi parësor ishte rritja e aftësive të personelit në monitorimin e praktikave të të ushqyerit të fëmijëve 0-2 vjeç dhe rritjen e fëmijëve të moshës 0-5 vjeç. Kjo u arrit nëpërmjet inspektimit të kartave shëndetësore për fëmijët 0-5 vjeç, duke siguruar dokumentim dhe raportim të saktë të këtyre treguesve.
Objektivat kryesore të trajnimit ishin fuqizimi i personelit të njësive vendore dhe pajisja e personelit të kujdesit shëndetësor me njohuri dhe aftësi për të dokumentuar me saktësi të dhënat për kartat shëndetësore të fëmijëve, aftësimi për të vlerësuar dhe monitoruar procesin e mbledhjes dhe raportimit të treguesve nga qendrat e kujdesit shëndetësor parësor.
Përfundimi i këtij sesioni trajnimi në qarkun e Shkodrës shënoi përfundimin e serisë së trajnimeve për zbatimin e manualit “Për sistemin e monitorimit të praktikave të të ushqyerit për fëmijët 0-2 vjeç dhe të rritjes për fëmijët 0-5 vjeç”. Sesionet e trajnimit në të gjitha rajonet rezultuan shumë të frytshme, ku pjesëmarrësit shprehën nevojën për vazhdimin e seancave të trajnimit, duke theksuar efektivitetin e tyre në përmirësimin e praktikave të personelit të kujdesit shëndetësor në konsultimin e fëmijëve.
Monitorimi i vazhdueshëm: Personeli i trajnuar duhet të vizitojë qendrat e tyre përkatëse të kujdesit shëndetësor për të mbikëqyrur procesin e monitorimit.
Angazhimi për të adresuar këto çështje dhe entuziazmi i treguar nga pjesëmarrësit nënvizojnë rëndësinë e nismave të tilla në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore të ofruara për fëmijët. Përfundimi me sukses i kësaj serie trajnimesh shënon një hap të rëndësishëm përpara në përmirësimin e vazhdueshëm të praktikave të monitorimit të shëndetit të fëmijëve në të gjithë rajonin.