Më 24 prill 2024, Shërbimi i Neonatologjisë, me mbështetjen e zyrës së UNICEF në Tiranë, organizoi një takim kombëtar të rëndësishëm për të diskutuar cilësinë e shërbimit neonatal në Shqipëri. Ky event i rëndësishëm, i moderuar me profesionalizëm nga Prof.Asoc. Alketa Qosja (Hoxha), shërbeu si një platformë për ekspertët dhe profesionistët e shëndetësisë për të ndarë përvojat, sfidat dhe mundësitë për përmirësimin e kujdesit për të porsalindurit.
Në panelin e parë, fjalët përshëndetëse u mbajtën nga përfaqësues të shquar, përfshirë, Prof. Dr. Mira Rakacolli, Zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), Dr. Desantila Tahiraj, përfaqësuese e Parlamentit të Shqipërisë, Znj. Edina Kozma, zëvendëspërfaqësuese e UNICEF në Shqipëri, Dr. Genci Hyska, Drejtor i Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” dhe Dr. Eduart Tushe, President nderi i Qendrës Neonatologjike Shqiptare.
Qëllimi kryesor i këtij workshop-i ishte përmirësimi i rezultateve neonatale dhe reduktimi i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë për foshnjat në Shqipëri. Disa nga objektivat specifike përfshinin përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor neonatal në të gjitha nivelet e shërbimit, rritjen e aksesit në kujdesin shëndetësor për të gjitha foshnjat e porsalindura dhe standardizimin e kujdesit shëndetësor neonatal për të siguruar një cilësi të barabartë të shërbimit në të gjitha maternitetet dhe shtëpitë e lindjes.
Gjatë workshop-it, u evidentuan disa problematika kryesore, përfshirë mungesën e protokolleve mjekësore dhe infermierore të ndara sipas niveleve të shërbimit, mungesën e Procedurave Standarte Operative (SOP) dhe nevojat për trajnime në vendin e punës për personelin shëndetësor.
Një nga temat e rëndësishme që u trajtua nga Dr. Melinda Agastra, mjeke pranë Konsultorit të Fëmijës në Qendrën Shëndetësore Nr. 9, ishte “Ndjekja e pretermit dhe foshnjës me peshë të vogël pas daljes nga materniteti dhe sfidat që ndesh shërbimi shëndetësor parësor”. Dr. Agastra vuri në dukje rëndësinë e trajnimit dhe sensibilizimit të personelit shëndetësor për ndjekjen pas daljes nga materniteti, duke theksuar se edukimi i vazhdueshëm do të jetë shumë i frytshëm për përkushtimin maksimal ndaj fëmijëve.
Diskutimi u ndal edhe tek vaksinimi. Vaksinimi i fëmijëve premature (0-28 ditë) është një proces thelbësor për parandalimin dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve nga sëmundjet infektive. Një sfidë e rëndësishme për personelin shëndetësor është të informojnë dhe ndërgjegjësojnë prindërit për rëndësinë e vaksinimit, veçanërisht për fëmijët prematurë.
Një tjetër sfidë është bashkëpunimi ndërmjet materniteteve dhe Konsultorëve të Fëmijëve për të ndarë informacionin në kohë reale mbi gjendjen dhe ecurinë e zhvillimit të foshnjës. Kjo do të ndihmojë stafin shëndetësor, përfshirë infermieret e patronazhit, që të ndihmojnë më mirë nënat e reja dhe të sigurojnë një kujdes të vazhdueshëm dhe cilësor për fëmijët.
Workshop-i kombëtar i organizuar nga Shërbimi i Neonatologjisë me mbështetjen e UNICEF ishte një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve neonatale në Shqipëri dhe për këtë punonjës të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor e ndoqën me interes organizimin. Duke trajtuar sfidat ekzistuese dhe duke bashkëpunuar për zgjidhje të qëndrueshme, Shqipëria mund të bëjë hapa të mëdhenj drejt sigurisë dhe mirëqenies së çdo të porsalinduri.