Më 17 maj, Ambasada Pink Shqipëri, së bashku me partnerët, miqtë dhe kolegët, hapi zyrtarisht Festivalin e 15-të të Diversitetit për të Drejtat LGBTIQ+ në Shqipëri. Ky festival, i cili u zhvillua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë (IDAHOTB), mblodhi së bashku një mori njerëzish për të rritur ndërgjegjësimin mbi shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj personave LGBTIQ+ dhe për të promovuar barazinë dhe respektin ndaj diversitetit njerëzor.
Festivali i Diversitetit, një ngjarje që prej vitesh ka sfiduar tabutë dhe paragjykimet në lidhje me të drejtat e personave LGBTIQ+ në Shqipëri, ka treguar edhe një herë përkushtimin e palëkundur për barazi, respekt dhe diversitet. Një nga momentet më të rëndësishme të festivalit ishte ceremonia “30 Personat e Vitit për të Drejtat LGBTIQ+ në Shqipëri”. Ky vlerësim nderoi individët, organizatat dhe institucionet që gjatë vitit 2023 dhe më tej kanë mbështetur publikisht komunitetin LGBTIQ+, duke u bërë shembuj frymëzues për të gjithë.
Eventi u mbajt në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) dhe u mbështet nga fushata “Të Lirë – të Barabartë” e OKB-së.
Në ceremoninë e hapjes së Festivalit të 15-të të Diversitetit, u mbajtën fjalime nga përfaqësues të ndryshëm, duke përfshirë: Z. Altin Hazizaj, në emër të PINK Embassy Shqipëri / CRCA Shqipëri, Znj. Albana Koçiu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Znj. Fiona McCluney, Përfaqësuese e Zyrës së OKB-së në Shqipëri dhe Znj. Nora Kushti, nga fushata “Të Lirë & Të Barabartë” e OKB-së.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) ka treguar përkushtimin e saj për të mbështetur përpjekjet për një shoqëri më të gjithpërfshirëse dhe të ndërgjegjshme. Personat LGBTIQ+ kanë të drejtë të jetojnë pa frikë, dhunë, diskriminim dhe pabarazi. MSHMS vazhdon të punojë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e këtij komuniteti të rëndësishëm në shoqërinë tonë.
Festivali i 15-të i Diversitetit ishte një sukses duke përkrahur barazinë e të drejtave për të gjithë dhe një hap i rëndësishëm drejt një shoqërie më të drejtë dhe më të përfshirë, dhe ne mezi presim të shohim rezultatet e këtij përkushtimi në vitet që vijnë.