Në Qendrën Shëndetësore të Vorës u zhvillua një vizitë në kuadër të shkëmbimit rajonal të programeve të shëndetësisë të mbështetura nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Evropën Lindore. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të programeve rajonale të shëndetësisë, ndërsa Drejtoria Qendrore e OSHKSH-së u përfaqësua nga z. Lorenc Hashorva, Drejtor i Drejtorisë së Ofrimit të Kujdesit Shëndetësor. Delegacioni u prit nga drejtoresha e Qendrës Shëndetësore Vorë, znj. Shkëndije Gruda, si dhe nga stafi i kësaj qendre.
Vizita u përqendrua në organizimin dhe ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor, duke përfshirë prezantimin e praktikave të përditshme të punës dhe mënyrën e funksionimit të shërbimeve në nivel vendor. Gjatë turit në ambientet e qendrës, pjesëmarrësit u njohën nga afër me strukturën e shërbimeve, organizimin e ekipeve të kujdesit shëndetësor dhe ndërhyrjet e zbatuara për përmirësimin e cilësisë së kujdesit për pacientët.
Diskutimet u fokusuan në menaxhimin e sëmundjeve jo të transmetueshme, ofrimin e kujdesit shëndetësor në banesë dhe rolin e profesionistëve të kujdesit shëndetësor në garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve. Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua funksionimit të qendrave shëndetësore 24/7 dhe rolit të tyre në ofrimin e shërbimeve të urgjencës në kujdesin parësor.
Ekipi i Qendrës Shëndetësore të Vorës prezantoi ndryshimet kryesore të zbatuara në kuadër të forcimit të sistemit shëndetësor, sfidat e hasura gjatë zbatimit të tyre, si dhe fushat që kërkojnë zhvillim të mëtejshëm. Vizita shërbeu gjithashtu si një mundësi për shkëmbim përvojash dhe vlerësim të zbatimit praktik të ndërhyrjeve të mbështetura nga programet rajonale të shëndetësisë, me synim identifikimin e praktikave që mund të përshtaten edhe në kontekste të tjera të kujdesit shëndetësor parësor.
Në përputhje me misionin e OSHKSH për garantimin e shërbimeve cilësore, të aksesueshme dhe të qëndrueshme të kujdesit shëndetësor për qytetarët, aktivitete të tilla kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit profesional, shkëmbimin e përvojave dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor parësor.
