Më 3 tetor 2025, në Tiranë, u zhvillua seminari një ditor mbi Menaxhimin e Infodemisë, me pjesëmarrjen e rreth 20 aktorëve shumësektorialë nga institucione shtetërore, organizata të shoqërisë civile dhe përfaqësues të medias. Aktiviteti u organizua në kuadër të procesit të hartimit të kapitullit për Menaxhimin e Infodemisë në planin (RCCE) për Shqipëri, si pjesë e projektit “SOLIDAR”.

Seminari u udhëhoq nga eksperti ndërkombëtar i komunikimit të riskut, z. Philippe Borremans, një figurë e njohur në fushën e menaxhimit të krizave informative dhe komunikimit strategjik gjatë emergjencave. Me metodologji bashkëpunuese dhe interaktive, z. Borremans udhëzoi pjesëmarrësit përmes një procesi bashkë-krijimi që synonte ndërtimin e një qasjeje kombëtare për menaxhimin e infodemisë, të përshtatur me nevojat dhe realitetin shqiptar.

Në seminar morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, Operatori i Kujdesit Shëndetësor, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, si edhe përfaqësues të medias dhe organizata të shoqërisë civile e komunitetit. Diskutimet dhe sesionet praktike u fokusuan në ndërtimin e një sistemi të unifikuar komunikimi dhe reagimi ndaj përhapjes së dezinformimit në situata emergjente.

Gjatë punimeve u zhvilluan analiza rastesh, ushtrime bashkëpunuese dhe laboratorë idesh për hartëzimin e ekosistemit informativ, identifikimin e burimeve të informacionit të pasaktë dhe krijimin e një Udhëzuesi Operacional të Procedurave (UOP) për menaxhimin e infodemisë.

Ky seminar pati një ndikim të drejtpërdrejtë në punën e OSHKSH-së, duke forcuar kapacitetet e saj në fushën e komunikimit të rrezikut dhe përmirësuar aftësitë për bashkëpunim ndërinstitucional në menaxhimin e informacionit gjatë emergjencave.

Ky aktivitet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të koordinimit ndërsektorial dhe zhvillimit të një kornize të qëndrueshme për menaxhimin e infodemisë, duke vendosur qytetarin në qendër të transparencës dhe komunikimit efektiv në kohë krizash.