Në kuadër të përmbushjes së standardeve dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore, Operator i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) ka përmbyllur me sukses procesin e akreditimit për institucionet shëndetësore gjatë vitit 2024. Ky proces u bazua në Urdhrin Nr. 18, datë 17.01.2019, dhe VKM-në Nr. 865, datë 24.12.2019, të cilat përcaktojnë rregullat, tarifat dhe afatet për akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor.
Nga 120 Qendra Shëndetësore (QSH) të përfshira në proces, janë akredituar gjithsej 73 institucione, duke përfshirë 71 QSH dhe dy spitale bashkiake: Spitali Bashkiak Bajram Curri dhe Spitali Bashkiak Bulqizë. Procesi u finalizua më 20 dhjetor 2024 nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqërues.
Ndër institucionet e akredituara:
• 13 QSH janë akredituar për herë të parë.
• 16 QSH janë ribashkuar pas vendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (MSHMS).
• 42 QSH janë riakredituar, duke përforcuar vazhdimësinë e standardeve të larta të shërbimit.
Në rajonin e Tiranës janë akredituar 16 qendra shëndetësore, duke përfshirë Qendrën e Mjekësisë Familjare Nr. 10 dhe Qendrën e Specialiteteve Nr. 1, të dyja me vlerësime maksimale pesëvjeçare. Rajoni i Shkodrës ka shënuar numrin më të lartë me 26 qendra të akredituara, ndërsa rajoni i Elbasanit dhe ai i Vlorës kanë kontribuar respektivisht me 20 dhe 9 qendra shëndetësore.
Akreditimet kanë përfshirë periudha të ndryshme kohore bazuar në vlerësimet për përmbushjen e standardeve të cilësisë, duke varijuar nga një deri në pesë vite.
Ky proces ka për qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve shëndetësore në të gjithë vendin, duke garantuar që pacientët të përfitojnë kujdes të standardizuar dhe profesional. Akreditimi i institucioneve jo vetëm që rrit besimin e qytetarëve, por edhe ndihmon në krijimin e një sistemi shëndetësor më të qëndrueshëm dhe efikas.
Procesi i akreditimit për këtë vit është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve shëndetësore në Shqipëri, duke mbështetur vizionin e OSHKSH-së për një sistem të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt pacientit. Me këtë angazhim, institucioni ynë synon të vazhdojë të jetë një shtyllë kryesore për zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në vend.