Në vijim të implementimit të Programit të Trajtimit Mbajtës me Metadon (TMM) dhe funksionimit të Njësive pranë spitaleve rajonale dhe e qendrave shëndetësore, në qershor 2024, u organizua një trajnim i rëndësishëm për stafin e rekrutuar të Njësive dhe personelin shëndetësor të përcaktuar nga Drejtoritë e Shërbimit Spitalor. Ky trajnim u realizua në zbatim të akteve që rregullojnë menaxhimin dhe koordinimin e programit të trajtimit mbajtës me Metadon në Shqipëri.
Trajnimi kishte për qëllim përvetësimin e procedurave të trajtimit mbajtës të pacientëve me Metadon dhe njohjen e udhërrëfyesit dhe protokolleve të miratuara nga stafet profesioniste të Shërbimit të Adiktologjisë dhe Toksikologjisë Klinike. Ky aktivitet u drejtua nga Dr. Andrin Tahiri, Shef i Shërbimit të Adiktologjisë dhe Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dhe përfaqësuesit e Drejtorisë Qendrore të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, z. Elisi Muço dhe znj. Rolanada Merkuri.
Gjatë trajnimit, u trajtuan disa problematika kyçe të hasura gjatë ofrimit të shërbimit, duke përfshirë disponibilitetin e testit të lëndëve narkotike, sistemin e referimit të pacientëve dhe ambientet e përshtatura për ofrim shërbimi.
Në përfundim të takimit, u vendos që prioritet t’i jepej plotësimit sa më shpejt të kartelave individuale të pacientit në bashkëpunim me mjekun toksikolog, si dhe plotësimi i gjithë dokumentacionit të miratuar nga MSHMS dhe DQOSHKSH. U theksua rëndësia e ofrimit të një shërbimi cilësor përmes bashkëpunimit të gjithë stafit të përfshirë.
Ky trajnim dhe diskutimet e bëra gjatë tij janë një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve shëndetësore në Shqipëri, veçanërisht për pacientët që ndjekin Programin e Trajtimit Mbajtës me Metadon. Ne mbetemi të angazhuar për të ofruar kujdesin më të mirë të mundshëm për pacientët tanë, duke siguruar se stafi ynë është i pajisur me njohuritë dhe mjetet e nevojshme për të kryer punën e tyre me profesionalizëm dhe përkushtim.