Më datë 25 shkurt 2025, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) dhe UNICEF organizuan takimin “Vaksinoni duke Besuar” në ambientet e Hotel “Mondial”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, ISHP-së, pediatër, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe ekspertë të fushës së shëndetësisë.
Ky takim kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e ndërgjegjësimit mbi vaksinimin ndaj Fruthit-Rubeolës-Parotitit (FRP), një fushatë e rëndësishme shëndetësore që synon mbrojtjen e fëmijëve nga këto sëmundje infektive.
Gjatë takimit u prezantuan arritjet e fushatës gjatë vitit të kaluar, përfshirë shpërndarjen e materialeve informuese, realizimin e reklamave në mediat kombëtare dhe promovimin në hapësira publike strategjike. Një fokus i veçantë iu kushtua analizimit të sfidave për rritjen e mbulesës vaksinale dhe identifikimit të mënyrave për të adresuar hezitimin dhe refuzimin ndaj vaksinimit.
Paneli i ekspertëve diskutoi rëndësinë e bashkëpunimit mes strukturave shëndetësore, organizatave ndërkombëtare dhe komunitetit për të përmirësuar qasjen e qytetarëve ndaj vaksinimit. Përfaqësuesit e NjVKSH-ve dhe qendrave shëndetësore ndanë përvojat e tyre mbi sfidat e hasura dhe propozuan zgjidhje për të rritur besimin e prindërve dhe kujdestarëve në vaksinimin e fëmijëve të tyre.
ISHP dhe UNICEF ripohuan rëndësinë e bashkëpunimit të të gjithë aktorëve për të siguruar një mbulesë të plotë vaksinale, duke theksuar mesazhin e fushatës: “Vaksinoni duke Besuar”.