Më 3 gusht 2026, në Drejtorinë Qendrore të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, u zhvillua një takim pune me grupin e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë të angazhuar në kuadër të Projektit SOLIDAR “Bashkë në Emergjencat Shëndetësore”, për hartimin e Planit të Veprimit për Shërbimet e Kujdesit Shëndetësor Parësor në Shqipëri për periudhën 2026–2030.
Takimi u organizua në kuadër të procesit të bashkëpunimit me Grupin e Punës të ngritur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për hartimin e këtij plani. Gjatë diskutimeve u trajtuan organizimi aktual i shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor, sfidat dhe nevojat e evidentuara në ofrimin e shërbimeve, si dhe prioritetet për zhvillimin e mëtejshëm të tyre.
Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor në analizën e të dhënave, monitorimin e shërbimeve, koordinimin e strukturave në varësi dhe mbështetjen e zbatimit të masave që do të parashikohen në Planin e Veprimit. Gjithashtu, u diskutua mbi nevojën për bashkërendim të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe përfshirjen e strukturave rajonale në procesin e evidentimit të nevojave dhe përcaktimit të ndërhyrjeve prioritare.
Në takim morën pjesë Drejtoresha e Financave dhe Shërbimeve Mbështetëse, znj. Hygerta Goxhaj; Drejtori i Drejtorisë së Ofrimit të Kujdesit Shëndetësor, z. Lorenc Hashorva; Drejtoresha e Drejtorisë së Racionalizimit të Kujdesit Shëndetësor, znj. Rolanda Merkuri; si dhe përgjegjësja e Sektorit të Strategjive dhe Programeve, znj. Lorena Muhametaj.
