Nisma jonë e fundit e trajnimit të fokusuar në monitorimin e praktikave të ushqyerjes së foshnjave dhe fëmijëve ka nisur në Qarkun e Elbasanit.
Pas përfundimit të manualit të trajnimit për stafin në Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH), Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), në bashkëpunim me UNICEF dhe Operatorin Qendror, ka zhvilluar sesione trajnimi për stafin që do të mbikëqyrë zbatimin e manualit “Sistemi i monitorimit të praktikave të të ushqyerit për fëmijët 0-2 vjeç dhe rritja për fëmijët 0-5 vjeç” pranë Operatorit Elbasan. Rajoni i Elbasanit nisi ciklin e trajnimit dhe qarqet e tjera brenda rajonit do të ndjekin së shpejti këto trajnime kaskadë.
Ky trajnim u drejtua me profesionalizëm nga pedagoget Prof. Dr. Gentiana Qirjako dhe Dr. Rudina Çumashi, nëpërmjet organizimit dhe facilitimit nga Operatori Qendror me përfaqësuese znj. Marsida Merdani dhe znj. Elona Xhepi, të cilat bashkëpunuan ngushtësisht me ISHP.
Objektivi i trajnimit është fuqizimi i personelit nga vendor të Kujdesit Shëndetësor në monitorimin e praktikave të të ushqyerit të fëmijëve 0-2 vjeç dhe rritjen e fëmijëve 0-5 vjeç nëpërmjet kontrollit të kartelave të fëmijëve për dokumentimin dhe raportimin e këtyre treguesve.
Objektivat specifike të trajnimeve lidhen me pajisjen e personelit me njohuri dhe aftësi për dokumentimin e saktë të kartelave të fëmijëve nga personeli shëndetësor pranë Qendrave Shëndetësore/ Qendrave të Mjekësisë Familjare për çdo tregues.
Trajnimi dha rezultate të frytshme, ku pjesëmarrësit shprehën nevojën për vazhdimin e seancave për shkak të efektivitetit të tyre në rritjen e praktikës së personelit të kujdesit shëndetësor që punon me fëmijët.
Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e praktikave të shëndetit dhe të ushqyerjes së fëmijëve dhe presim bashkëpunime të mëtejshme dhe rezultate ndikuese në misionin tonë për të ardhme më të shëndetshme për fëmijët në komunitetet tona!