Më datë 4 nëntor 2025, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë ”Efikasiteti i politikave dhe fondeve publike në fuqizimin social-ekonomik të grave në Shqipëri”, organizuar nga Shoqata “Together for Life” (TFL) me mbështetjen financiare të Ambasadës së Suedisë në Tiranë. Takimi i zhvilluar në ambjentet e Hotel Tirana International, mblodhi përfaqësues të institucioneve qëndrore, përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e politikave me qasje gjinore, Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, Bashkisë Tiranë, insititucioneve të pavarura të të Drejtave të Njeriut, organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare që kanë në fokus promovimin e barazisë gjinore në shoqëri, aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarë.

Gjatë aktivitetit u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet e raportit “Fuqizimi ekonomik dhe social i grave në Shqipëri – Analizë e efikasitetit të politikave dhe fondeve publike” i prezantuar nga Prof. Asoc. Merita Poni, Universiteti i Tiranës. Raporti ofroi një analizë gjithëpërfshirëse, duke vlerësuar efektivitetin e politikave dhe programeve që kontribuojnë në fuqizimin ekonomik dhe social të grave, si dhe duke nxjerrë rekomandime për përmirësimin e masave ekzistuese.

Tryeza u moderua nga Znj. Klajda Gjosha, ndërsa fjalën hapëse e mbajti Znj. Eglantina Bardhi, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës “Together for Life”. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Zv. Ambasadori i Suedisë në Shqipëri dhe shefi i zyrës së Bashkëpunimit për Zhvillim, z.Erik Illes, theksoi rëndësinë e ndërtimit të një të ardhmeje ku gratë  të jetojnë të lira dhe pa frikë. Ai gjithashtu falenderoi shoqatën “Together for Life” dhe të gjitha palët e interesit të përfshira në raport, për përpjekjen dhe kontributin e tyre për fuqizimin ekonomik të grave në Shqipëri.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, z.Robert Gajda, shprehu shqetësimin për mungesën e një aleance të grave deputete në parlament, e cila mund të jetë një zë i unifikuar  dhe realist në mbrojtje të tyre, përtej ngjyrave politike dhe ndasive që mund të ekzistojnë. Ai theksoi nevojën për një qëndrim të përbashkët  për  mbrojtjen e grave, si nga gjuha në parlament, ashtu edhe në kërkesën e llogarisë ndaj institucioneve përgjegjëse për implementimin e politikave që garantojnë mbrojtjen dhe fuqizimin e grave në të gjithë sektorët.

Raporti nënvizoi faktin se pavarësisht se ne Shqipëri janë ndërmarrë politika dhe programe që synojnë mbështetjen socio-ekonomike të grave dhe vajzave, hendeku gjinor në tregun e punës mbetet i qenësishëm me 12.2%, ndërsa gratë përbëjnë vetëm 15% të përfituesve nga skemat bujqësore dhe 29% të përfituesve nga fondet për sipërmarrje.

Gjatë diskutimeve në tryezë, përfaqësuesit e institucioneve dhe të shoqërisë civile theksuan  domosdoshmërinë  për ndjekjen, vlerësimin dhe raportimin e zbatimit të politikave për fuqizimin  ekonomik dhe social të grave, si dhe për të forcuar lidhjen  nëpërmjet planifikimit strategjik dhe buxhetimit gjinor, në mënyrë që politikat publike të përkthehen në rezultate të matshme për barazinë gjinore. Ata nënvizuan gjithashtu nevojën për rritjen e fondeve të dedikuara për politikat e ndjeshme gjinore në sektorët e shëndetësisë, arsimit, punësimit dhe mbrotjes sociale, si dhe për sigurimin e një transparence më të lartë të përdorimit të fondeve publike, në mënyrë që mbështetja për gratë dhe vajzat në nevojë të ketë impakt më të madh dhe të qëndrueshëm.

Pjesëmarrja e OSHKSH në këtë aktivitet kontribuoi në evidentimin e barrierave me të cilat përballen gratë dhe vajzat në Shqipëri, duke nënvizuar nevojën për adresimin e tyre përmes përmirësimit të politikave dhe angazhimit aktiv të institucioneve për fuqizimin e tyre në çdo nivel.