Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) mori pjesë në trajnimin rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), me temë “Cilësia e kujdesit dhe siguria e pacientit”, organizuar nga WHO Quality of Care and Patient Safety Office, WHO Regional Office for Europe dhe National and Kapodistrian University of Athens. Trajnimi i zhvilluar nga data 20 deri më 24 tetor 2025 në Athinë, Greqi, mblodhi profesionistë të shëndetit publik dhe ekspertë nga mbi 30 vende të rajonit evropian me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe praktikave mbi zhvillimin e politikave të cilësisë, ndërtimin e indikatorëve, sigurinë e pacientit dhe përfshirjen e qytetarëve në kujdesin shëndetësor. Gjatë pesë ditëve të trajnimit, u organizuan ligjërata, panele diskutimi, punë në grup dhe workshop-e praktike, të udhëhequra nga ekspertë ndërkombëtarë të fushës së shëndetit publik.
Gjatë ditës së parë, me temë “Bazat e cilësisë së kujdesit dhe ndikimi global”, seanca e mirëseardhjes u drejtua nga Joao Breda( OBSH), Paulo Sousa (Qendra e bashkëpunimit të OBSH për cilësinë e kujdesit) dhe Dafni Kaitelidou ( Universiteti i Athinës). Folësit përfshinë përfaqësues të OBSH dhe institucioneve partnere, ndër ta Gundo Weiler, Sonia Dias dhe Marios Themistocleous nga Ministria e Shëndetësisë e Greqisë. Një fjalim frymëzues u mbajt nga Nick Klazinga ( Universisteti i Amsterdamit) mbi temën“ Cilësia e kujdesit në kohë krize”, duke theksuar rolin e matjeve dhe të dhënave për ruajtjen e cilësisë në situata emergjente, ndërsa ̇Dominique Allwood (Imperial College) dhe Oliver Groene (Witten University) prezantuan lidhjen midis cilësisë së kujdesit, rezultateve shëndetësore dhe ndikimit mjedisor. U theksua rëndësia e integrimit të matjeve të cilësisë në raportimet periodike të kujdesit shëndetësor, që për OSHKSH përkthehet në forcim të vlerësimit institucional.
Në vijim të trajnimit, dita e dytë u përqëndrua në temën ”Fuqia punëtore dhe politikat kombëtarë të cilësisë”. Tomas Zapata (OBSH) foli për nevojën e mbajtjes së profesionistëve të kujdesit shëndetësor të motivuar, duke propozuar instrumente për zhvillimin profesional dhe menaxhimin efektiv të burimeve njerëzore, ndërsa Zoi Tsimtsiou (Universiteti i Selanikut) paraqiti evidenca për ndikimin e cilësisë së kujdesit në sigurinë e pacientit. Panelistët e rinj, Migle Trumpickaitė dhe Valentin Vallee sollën perspektivat e brezit të ri të profesionistëve shëndetësorë, ndërsa Peter ̇Campbell (Universiteti i Heidelbergut) prezantoi “ indikatorët e rinj të cilësisë”, me theks tek nevoja për indikatorë qe matin rezultatet reale për pacientët, jo vetëm proçeset. Gjithashtu u zhvillua një ushtrim mbi krijimin e indikatorëve kombëtarë të cilësisë, i udhëhequr nga Oscar Brito Fernandes ( Universiteti i Amsterdamit). Ky sesion ofroi njohuri konkrete për ndërtimin e një sistemi të indikatorëve të matshëm të cilësisë, që mund të përshtatet në sistemin shqiptar për monitorimin e institucioneve shëndetësore publike dhe private.
Në ditën e tretë, me temë “Inovacionet digjitale dhe siguria e pacientit”, Joana Seringa (Nova University Lisbon) prezantoi rolin e inteligjencës artificiale (AI) në analizimin e të dhënave shëndetësore për përmirësimin e cilësisë së kujdesit. Në panelin për sigurinë e pacientit, Irina Papieva (OBSH) prezantoi Planin Global për Sigurinë e Pacientit 2021-2030, ndërsa Jose Mira foli për mbështetjen e profesionistëve pas ngjarjeve të padëshiruara. Gustavo Norte prezantoi përdorimin e stimulimeve për trajnimin në sigurinë klinike ndërsa u theksua rëndësia e krijimit të një sistemi raportimi për ngjarjet e padëshiruara dhe trajnimeve të stimulimit për sigurinë e pacientit, fushë në të cilën OSHKSH mund të luajë rol koordinues dhe monitorues.
Dita e katërt e trajnimit kishte temën “Përfshirja e pacientëve dhe politikat e bazuara në evidencë”. Nikos Dedes hapi panelin mbi rëndësinë e përfshirjes së zërit të pacientit në vendimmarrje, duke ndarë praktika greke për bashkëpunim me organizatat e pacientëve, ndërsa Sally Lewis ( Universiteti Swansea) foli për përdorimin e Patient-Reported Outcome Measures (PROMs). Guillaume Dedet (OECD) ndau përvojën e projektit “Paris”, ndërsa Valter Fonseca (OBSH) mbajti ligjëratën mbi përdorimin e evidencës shkencore në politikëbërje. Diskutimet për rezultatet e kujdesit përgjatë ciklit jetësor sollën shembuj nga fëmijëria te kujdesi për të moshuarit. U evidentua mundësia që institucioni të nxisë përfshirjen e pacientëve në vlerësimet e cilësisë përmes anketave dhe indikatorëve të përvojës së pacientit, një drejtim që mund të rrisë transparencën dhe besimin publik.
Dita e fundit e trajnimit, me temë “Sistemet shëndetësore të së ardhmes”, përfshiu folës nga OBSH Evropa, ndër të cilët Natasha Azzopardi Muscat, Gauden Galea, Yongjie Yon, Oliver Schmoll, dhe Ihor Perehinets, trajtuan temat e plakjes aktive, sëmundjeve jo të trashëgueshme, ndikimit të klimës dhe sigurisë shëndetësore. Përfaqësues te Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor prezantuan një rast praktik mbi zbatimin e indikatorëve të cilësisë në kujdesin spitalor, një projekt që u vlerësua pozitivisht nga juria e përbërë nga përfaqësues të OBSH-së dhe organizatave partnere. Ceremonia përmbyllëse, e drejtuar nga Joao Breda dhe Paulo Sousa, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor. Në fund të aktivitetit, pjesëmarrësve iu dorëzuan çertifikatat për përfundimin me sukses të trajnimit 5 ditor.
Ky trajnim për OSHKSH përbën një hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e monitorimit të cilësisë dhe sigurisë së pacientit. Ai ofron njohje me standartet dhe indikatorët e OBSH-së që mund të përshtaten me instrumentet e OSHKSH për vlerësim dhe raportim, krijim kontaktesh me ekspertë ndërkombëtarë për projekte të ardhshme të cilësisë së kujdesit, ide për përfshirjen e zërit të pacientit në mekanizmat e vlerësimit të cilësisë si edhe njohuri mbi përdorimin e inteligjencës artificiale dhe teknologjive digjitale për analizën e të dhënave dhe mbikëqyrjen e cilësisë. Pjesëmarrja në këtë program të “WHO Autumn School on Quality of Care and Patient Safety” përfaqësoi një përvojë të rëndësishme për OSHKSH, duke kontribuar në përmirësimin e njohurive dhe praktikave mbi cilësinë dhe sigurinë e kujdesit shëndetësor, si dhe në forcimin e kapaciteteve për monitorim, analizë dhe zhvillim të mëtejshëm të praktikave bashkëkohore në këtë fushë.
