Në lidhje me raportimet e fundit të një programi televiziv rreth transparencës së procedurave të rekrutimit në Qendrën Shëndetësore Kelmend dhe mjekëve të pasionuar që vijojnë të punojnë aty, duam të sjellim qartësi e të japim disa sqarime.
Operatori Rajonal Shkodër (Drejtoria Rajonale Shkodër e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor) i bazon listëpritjet e aplikantëve tek meritat e tyre nga provimi i shtetit e vlerësimet e dosjeve, lista të cilat janë publike, transparente dhe kanë kaluar çdo nivel procedural ankimimi.
Procesi i rekrutimit është transparent dhe i hapur për gjithë kandidatët. Në veçanti, për Qendrën Shëndetësore të Kelmendit, ku shërbimi shëndetësor është i rëndësishëm për këtë zonë të thellë malore, procesi i përzgjedhjes së kandidatëve është kryer në përputhje me parimet e meritokracisë dhe sipas renditjes së aplikantëve në listëpritjen e publikuar në portalin “Infermierë për Shqipërinë”. Inkurajojmë të vijojnë të marrin pjesë në thirrjet e Operatorit Rajonal për të pranuar ose jo vendet vakante të ofruara të gjithë kandidatët e tjerë në listëpritje që nuk kanë pikë të larta në renditje.
Për dallim nga disa kandidatë që kanë refuzuar vendet vakante të ofruara, personeli shëndetësor që vijon të japë kontributin e vet në Qendrën Shëndetësore Kelmend ofron shërbim të vazhdueshëm për gjithë nevojat shëndetësore në zonën e tyre dhe gjithë angazhimin për t’i shërbyer komunitetit aq shumë të shpërndarë gjeografikisht.
Operatori e vlerëson kontributin e tyre të çmuar dhe angazhimin e tyre për të ofruar shërbime shëndetësore cilësore në kushte të vështira, duke shpëtuar jetë dhe duke ndihmuar popullatën tonë dhe turistët në çdo kohë, kurdo është nevoja.
Janë marrë masa disiplinore për të adresuar çështjet e administrimit dhe menaxhimit të dobët.
Qëndrojmë të hapur për dialog dhe bashkëpunim në çdo kohë me çdo media, për të adresuar çdo shqetësim dhe për të përmirësuar proceset tona. Nëse ka vërejtje ose pyetje të tjera, jemi në dispozicion për t’i shqyrtuar dhe për t’i adresuar në mënyrë të drejtë dhe transparente.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor