Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ka kundërshtuar raportin e njëanshëm të publikuar nga Fondacioni “Pema e Jetës” mbi sklerozën multiple, duke theksuar progresin e arritur në kujdesin publik. Në përputhje me standartet bashkëkohore të kujdesit shëndetësor ndaj pacientëve me sëmundje kronike dhe komplekse, si skleroza multiple, OSHKSH ka ndërmarrë hapa të qartë drejt integrimit të shërbimeve shëndetësore, në kuadër të një qasjeje të re multidisiplinare dhe të qëndrueshme. Ky model i integruar vendos pacientin në qendër të vëmendjes, duke trajtuar jo vetëm aspektin klinik por edhe nevojat psiko-sociale që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës. Në rang kombëtar, janë të angazhuar 33 mjekë neurologë dhe 26 mjekë psikiatër, të shpërndarë në sistemin parësor dhe spitalor në të gjithë vendin, pa përfshirë kapacitetet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ky zhvillim përfaqëson një rritje domethënëse të mbulimit dhe aksesit për pacientë me diagnoza si, skleroza multiple, të cilët kërkojnë ndjekje të vazhdueshme nga profesionistë të specializuar. Aktualisht, 104 qendra shëndetësore në Shqipëri ofrojnë shërbime me psikologë dhe punonjës socialë të shpërndarë në të gjithë vendin, duke përfaqësuar 30% të rrjetit kombëtar të kujdesit shëndetësor parësor. Përveç kësaj, çdo institucion shëndetësor spitalor në varësi të OSHKSH ka në strukturën e tij një punonjës si psikolog apo punonjës social.  Gjithashtu, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ka përfshirë në sistemin parësor edhe shërbimin e fizioterapisë, duke e bërë të mundur që pacientët me sklerozë multiple të marrin këtë shërbim falas sa herë që kanë nevojë pranë qendrave shëndetësore të komunitetit të tyre. Shërbimet psiko-sociale nuk janë të kufizuara vetëm për një diagnozë, por janë të integruara dhe të aksesueshme për të gjithë qytetarët. Shërbimi i fizioterapisë, si pjesë e pandarë e zingjirit të rehabilitimit në kujdesin parësor, u mundëson pacientëve me sklerozë multiple të ruajnë funksionalitetin dhe cilësinë e jetës, përmes ndërhyrjeve të rregullta dhe të personalizuara. Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor mbështet çdo iniciativë që synon përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve, por kundërshton raportimet  e njëanshme që nuk pasqyrojnë progresin dhe përkushtimin e qindra profesionistëve në sistemin shëndetësor publik. Në raportin e Fondacionit “Pema e Jetës” janë ngritur shqetësime mbi mungesën e mbështetjes psikologjike dhe shërbimeve të integruara për pacientët me sklerozë multiple, por këto pretendime nuk pasqyrojnë realitetin aktual të strukturave në terren, dhe as progresin që ka ndodhur vitet e fundit në sistemin publik të kujdesit shëndetësor. Zgjidhja nuk qëndron në paraqitjen e pjesshme të realitetit, por në ndërtimin e partneriteteve të vërteta midis institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile, mbi bazën e fakteve, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë.