Në korrik 2024, përfaqësuesit e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor morën pjesë në qytetin e Fierit gjatë stërvitjes funksionale të sistemit të mbrojtjes civile të Republikës së Shqipërisë, e cila u organizua nën emrin “Command Post Exercise CPX – Ushtrime Post Komandë UPK, Pishë Poro 2024”.
Kjo stërvitje funksionale u mundësua falë kontributit dhe bashkëpunimit edhe me Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, i cili që nga fillimi i procesit mori pjesë me personel mjekësor dhe menaxherial. Ky personel është gjithmonë i gatshëm gjatë emergjencave civile, duke mbajtur përgjegjësi si pjesë e sistemit të mbrojtjes civile.
Gjatë kësaj stërvitjeje, e cila u realizua përmes simulimit të një situate emergjente civile rajonale si pasojë e një fatkeqësie (zjarr masiv në pyje), u testuan aftësitë koordinuese dhe ndërvepruese të kapaciteteve të sistemit të mbrojtjes civile në Republikën e Shqipërisë.
Për shkak të natyrës, shkallës dhe shtrirjes së saj, kjo stërvitje kërkoi ndërhyrjen e koordinuar të disa bashkive dhe aplikimin e qasjeve të reja në menaxhimin e fatkeqësive. U testuan gjithashtu dokumentet planifikuese në të gjitha nivelet, referuar Planit Kombëtar të Mbrojtjes Civile, të miratuar së fundmi nga Këshilli i Ministrave.
Kjo stërvitje do të përmbyllet me një konferencë përmbledhëse që do të zhvillohet brenda korrikut 2024, ku do të prezantohen rezultatet e stërvitjes, mësimet e nxëna dhe raporti final për të ndihmuar në punën e çdo institucioni, përfshirë edhe Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të vazhdojë me fazën e dytë të ciklit të trajnimit të strukturave të mbrojtjes civile në nivel qarku, me qëllim rritjen e aftësive dhe kapaciteteve.
Ky trajnim është thelbësor për forcimin e mbrojtjes civile dhe përgatitjen e institucioneve si Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor për të përballuar me sukses emergjencat e ardhshme.