Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), znj. Jeta Deda, zhvilluan një vizitë monitorimi pranë Qendrës Shëndetësore Udënisht, një pikë kyçe e varësisë së Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) Pogradec. Qendra ka përfunduar së fundmi rikonstruksionin, një proçes që nisi në tetor të vitit 2023 dhe përfundoi në tetor të vitit 2025, duke ofruar tashmë shërbime të standartizuara në ambjente të përshtatshme dhe të sigurta për pacientët dhe stafin mjekësor.
Gjatë vizitës, në Qendrën Shëndetësore Udënisht u organizua “Dita e Shëndetit në Komunitet”, ku banorët patën mundësinë të matin tensionin, sheqerin, peshën dhe indeksin e peshës trupore (BMI). Njëkohësisht u regjistruan raste të reja në sistemin elektronik të shëndetit (SJT), u ofruan këshillime shëndetësore nga mjeku i familjes dhe infermierja komunitare, si dhe u shpërndanë materiale edukative mbi parandalimin e hipertensionit dhe diabetit. Rëndësia e qendrës Udënisht u evidentua si një model për parandalimin e sëmundjeve kronike dhe për përfshirjen aktive të komunitetit në kujdesin shëndetësor.
Qendra shëndetësore Udënisht, pjesë e bashkisë Pogradec, përbën një institucion kyç për ofrimin e shërbimeve mjekësore në komunitetin lokal. Si një nga qendrat kryesore të NJVKSH Pogradec, ajo ofron shërbim shëndetësor 8-orësh për rreth 7188 banorë, duke shërbyer si pikë referimi për kujdesin parësor në gjithë territorin e njësisë administrative. Godina ku funksionon qendra është e mirëmbajtur dhe e pajisur me infrastrukturë të përshtatshme, duke mundësuar një organizim më efikas të të gjitha shërbimeve shëndetësore.
Ajo disponon një strukturë analitike me 17 punonjës, përfshirë 3 mjekë, 13 infermierë dhe 1 ekonomist. Për të siguruar akses të zgjeruar, në varësi të Qendrës Shëndetësore Udënisht funksionojnë katër pika ambulatore, të cilat ndodhen në zonat Buqezë, Lin, Memelisht dhe Piskupat. Këto ambulanca kanë rol të rëndësishëm në sigurimin e aksesit në shërbimet bazë shëndetësore për banorët e zonave më të thella dhe të largëta, duke mundësuar që çdo komunitet pavarësisht largësisë gjeografike, të ketë kujdes mjekësor të afërt dhe të vazhdueshëm.
Qendra ofron një gamë të gjërë shërbimesh të paketës bazë të kujdesit shëndetësor parësor, përfshirë shërbimet e mjekësisë familjare, konsultorin e gruas, konsultorin e fëmijës, planifikimin familjar, vaksinimin, check-upet, shërbimet e urgjencës mjekësore, mjekime- injeksione, si dhe kujdesin shëndetësore në banesë. Gjatë vitit 2024, në këtë qendër janë realizuar 17,492 vizita pranë mjekut të familjes, 1237 kontrolle check-up dhe janë depistuar për kancer gjiri 1179 gra. Ndërsa gjatë vitit 2025, janë realizuar 14,523 vizita pranë mjekut të familjes, 1076 kontrolle check-up, janë depistuar për kancer gjiri 1226 gra si dhe janë realizuar 116 vizita të në shtëpi.
Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) Pogradec është një ndër strukturat më të rëndësishme të sistemit të kujdesit parësor në zonën që mbulon, e përbërë nga një rrjet prej 8 qendrash shëndetësore (QSH) të shpërndara në zonat urbane dhe rurale. Këto qendra përfshijnë qendrat shëndetësore, QSH Pogradec, Bucimas, Udenisht, Proptisht, Velcan, Trebinjë, Dardhas dhe Cërravë.
Gjatë periudhës shtator-tetor 2025, në NJVKSH e Pogradecit janë kryer 329 depistime për probleme të shikimit tek fëmijët, nga të cilat 23 raste janë referuar tek mjeku specialist. Në proçes ishin të angazhuara 48 shkolla publike dhe jo publike, si edhe 3 mjekë. Gjithashtu, gjatë gjithë vitit janë kryer 737 Rapid Teste, nga ku 11 kanë rezultuar pozitive, për këtë njësi.
