Në përfundim të Seminarit vjetor planifikues për vitin e tretë të projektit SOLIDAR “Bashkë në emergjencat shëndetësore”, u bë një reflektim i gjerë mbi arritjet e deritanishme dhe u përcaktuan drejtimet kryesore për periudhën e ardhshme të zbatimit.
Projekti, i mbështetur nga Ambasada e Zvicrës në Shqipëri, vazhdon të japë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e sistemit të kujdesit shëndetësor emergjent.

Diskutimet e seminarit u fokusuan në rezultatet e nxjerra gjatë dy viteve të para të zbatimit, si dhe në përcaktimin e përparësive të reja për fazën pasuese. U prezantuan zhvillimet në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator të emergjencave shëndetësore, në forcimin e shërbimeve mjekësore emergjente përmes trajnimeve profesionale, digjitalizimit dhe modernizimit të infrastrukturës, si dhe në rritjen e përfshirjes së komuniteteve në proceset e kujdesit emergjent.

Një rol thelbësor në këtë proces ka pasur dhe vazhdon të ketë Operatori iShërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), i cili po kontribuon në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në nivel vendor dhe në përdorimin efektiv të mjeteve digjitale për menaxhimin e emergjencave shëndetësore.
Përmes bashkëpunimit të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, njësitë vendore dhe aktorë të tjerë të sistemit, OSHKSH po ndihmon në ndërtimin e një rrjeti të qëndrueshëm kujdesi emergjent, të aftë për të reaguar shpejt dhe me profesionalizëm në çdo situatë.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sistemit kombëtar të emergjencave shëndetësore, duke reflektuar përkushtimin e përbashkët për të ndërtuar një sistem më të përgatitur, më të përgjegjshëm dhe më pranë qytetarëve.