Tiranë, prill 2025, Drejtoresha e Përgjithshme e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, znj. Jeta Deda, mori pjesë në një aktivitet ndërkombëtar të organizuar në kuadër të programit TRANSACT Community Nursing, ku mbajti një fjalim mbi eksperiencën e Shqipërisë në zbatimin e kujdesit shëndetësor në banesë.
Në fjalën e saj, znj. Deda theksoi se ky shërbim përfaqëson një nga reformat më të rëndësishme në sistemin e kujdesit parësor në vend, duke sjellë shërbimin shëndetësor më afër pacientëve në nevojë – veçanërisht të moshuarve dhe atyre që vuajnë nga sëmundje kronike. “Në një vend ku mijëra qytetarë janë mbi 65 vjeç dhe afro gjysma e tyre jetojnë në zonat rurale, kujdesi në banesë nuk është më një zgjedhje, por një domosdoshmëri,” – u shpreh znj. Deda.
Shërbimi ka filluar të pilotohet në vitin 2021 në bashkëpunim me projektin Health for All (HAP), të financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). Fillimisht i pranishëm në 9 qendra shëndetësore në qarkun e Fierit dhe Dibrës, programi u zgjerua në 31 qendra deri në fund të vitit 2023. Që prej shtatorit 2024, kujdesi në banesë është shtrirë në të 36 Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe aktualisht ofrohet në 356 qendra shëndetësore, ku janë angazhuar 3,097 mjekë dhe infermierë.
Gjatë vitit 2024, janë kryer 58,732 vizita dhe procedura në banesë, ndërsa vetëm në tre muajt e parë të vitit 2025 janë regjistruar 52,002 vizita, duke mbuluar rreth 4,800 pacientë.
Shërbimet që ofrohen përfshijnë heqje të qepjeve, përkujdesje për plagë të rënda, matje të parametrave jetësorë, EKG, injeksione në banesë, edukim të pacientëve dhe familjarëve, si dhe referim për ndjekje të mëtejshme.
Znj. Deda përmendi gjithashtu sfidat që shoqërojnë këtë proces, përfshirë mungesën e pajisjeve, vështirësitë e terrenit, mungesat me burimet njerëzore dhe nevojën për përmirësim të raportimit digjital. Pavarësisht tyre, ajo vlerësoi që ky model jo vetëm lehtëson ngarkesën në spitale, por rrit ndjeshëm cilësinë e jetës për pacientët dhe forcon lidhjen mes shërbimit shëndetësor dhe komunitetit.
Aktiviteti i zhvilluar solli përfaqësues nga disa vende evropiane, të cilët ndanë praktikat më të mira në fushën e infermierisë komunitare dhe të kujdesit në banesë, ndërsa përvoja shqiptare u paraqit si një shembull i suksesshëm i reformës graduale dhe të koordinuar në sistemin shëndetësor publik.