Më 4 qershor 2025, në lulishen përpara Bashkisë Shkodër, u organizua një aktivitet ndërgjegjësues me rastin e Ditës Botërore të Sigurisë Ushqimore, me moton “Jetojmë shëndetshëm, Ushqehemi me kujdes”. Aktiviteti u zhvillua nga Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Shëndetit në Shkodër dhe me mbështetjen e institucioneve vendore dhe partnerëve të fushës. Qëllimi i tij ishte promovimi i sigurisë ushqimore si një komponent thelbësor për mirëqenien individuale dhe kolektive.

Përmes një organizimi të kujdesshëm, aktiviteti nisi me mirëseardhjen e pjesëmarrësve dhe orientimin në hapësirat e dedikuara për stendat me produkte bio, të vendosura në mënyrë atraktive për qytetarët që vizituan eventin. Në këto stenda, prodhues vendas ekspozuan produktet e tyre natyrale, ndërsa profesionistë të fushës ofruan këshillime mbi rëndësinë e një diete të balancuar dhe të sigurt. Moderatorja Jozefina Delija udhëhoqi hapjen e aktivitetit dhe prezantoi folësit e ftuar.

Në fjalimet përshëndetëse, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër, zoti Visar Jerina, theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit qytetar për praktikat ushqimore të shëndetshme dhe angazhimin lokal në këtë drejtim. Drejtoresha e Përgjithshme e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, znj. Jeta Deda, nënvizoi rolin e institucionit që ajo drejton në edukimin shëndetësor dhe ndërveprimin me komunitetin si një prej shtyllave strategjike për përmirësimin e shëndetit publik. Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Entela Ramosacaj, theksoi rëndësinë e politikave ndërsektoriale për sigurinë ushqimore, ndërsa zëvendëskryetarja e Bashkisë Shkodër, znj. Teuta Qyteza, vlerësoi bashkëpunimin mes institucioneve për të mbështetur prodhuesit vendas dhe për të edukuar qytetarët.

Pas sesionit të hapjes, aktiviteti vijoi me tre panele diskutimi, ku profesionistë dhe ekspertë të shëndetit publik, nutricionit dhe prodhimit ushqimor ndanë njohuritë dhe përvojat e tyre.

Paneli i parë, me temë “Ushqimi i sigurt, baza e një shëndeti të mirë”, u përqendrua në pesë parimet themelore të sigurisë ushqimore të përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. U trajtuan çështje që lidhen me ruajtjen e produkteve, higjienën, përpunimin e sigurt, etiketimin e ushqimeve dhe edukimin ushqimor në moshë të hershme.

Folësit e këtij paneli ishin:

• Dr. Dhurata Hysa, mjeke epidemiologe, e cila ndau praktika konkrete mbi mënyrën e ruajtjes së ushqimeve dhe gabimet më të shpeshta që bëhen në përdorimin e produkteve të përpunuara.

• Znj. Teuta Uka, teknologe ushqimore dhe përfaqësuese e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, e cila foli për rolin që luan edukimi në familje dhe në shkolla për përvetësimin e një kulture ushqimore të shëndetshme.

• Prof. Kristaq Sini, ekspert i sigurisë ushqimore dhe profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës, i cili ofroi një qasje krahasuese mbi modelet ndërkombëtare të sigurisë ushqimore dhe përputhshmërinë me realitetin shqiptar.

• Dr. Melida Agostra, mjeke specialiste pediatre, e cila ndaloi te rreziqet shëndetësore që vijnë nga konsumi i ushqimeve të pasigurta.

Paneli i dytë, me temë “Ushqimi si mjet parandalues për sëmundjet”, trajtoi ndikimin e drejtpërdrejtë të dietës në shëndetin afatgjatë dhe në parandalimin e sëmundjeve kronike.

Folësit ishin:

• Prof. Dr. Anila Kalleshi, dietologe klinike dhe Presidente e organizatës “Albanian Lifestyle Medicine” paraqiti lidhjen shkencore mes zakoneve ushqimore dhe sëmundjeve metabolike si diabeti dhe hipertensioni.

• Dr. Sara Zavalani, mjeke endokrinologe, që diskutoi mbi sfidat e menaxhimit të diabetit dhe ndikimin që ka një dietë e personalizuar në cilësinë e jetës së pacientëve.

• Dr. Melisa Qosja, mjeke pediatre, e cila ndau perspektivën e saj mbi rëndësinë e gjidhënies dhe ushqimit natyral në zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.

• Dr. Edona Tafa, mjeke pediatre, që ofroi udhëzime mbi ndarjen e makronutrientëve në dietat ditore për grupe të ndryshme moshore.

Dr. Brunilda Balla, mjeke endokrinologe, e cila solli në vëmendje politikat parandalese në nivel komunitar dhe rolin e edukimit shëndetësor në shkolla.

Paneli i tretë, me temë “Bio dhe lokale, një zgjedhje për jetë të balancuar”, u fokusua në rëndësinë e konsumimit të produkteve të freskëta, sezonale dhe të prodhuara në mënyrë të qëndrueshme, si një mënyrë për të ruajtur shëndetin dhe për të mbështetur ekonominë vendase.

Folësit përfshinin:

• Dr. Juliana Kallashi, specialiste e ushqyerjes dhe mbrojtjes së konsumatorit, e cila foli për përfitimet ushqyese dhe ekologjike të konsumit lokal.

• Përfaqësues nga subjekte prodhuese dhe agroturistike si Buna Farm, që ndanë përvojën e tyre në promovimin e bujqësisë së qëndrueshme dhe produkteve organike;

• Herbalife dhe Morava, që prezantuan linjat e tyre të produkteve të certifikuara për konsum të sigurt dhe të kontrolluar;

• Arti i Zanave, një ndërmarrje artizanale që promovon prodhimet tradicionale shqiptare si pjesë e trashëgimisë ushqimore;

Neranxi, një kompani me eksperiencë në tregtinë dhe përpunimin e produkteve natyrale, që diskutoi për sfidat dhe standardet në tregun ushqimor shqiptar.

Në bashkëpunim të ngushtë me pikën fokale të EFSA-s në Shqipëri, znj. Valbona Paluka, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor kontribuoi në mbështetjen dhe promovimin e këtij aktiviteti ndërgjegjësues, në përputhje me prioritetet kombëtare dhe evropiane për sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik. Ky bashkëpunim do të kulmojë me përfshirjen e materialeve të fushatës “#Safe2Eat” edhe në faqen zyrtare të institucionit, si pjesë e angazhimit në kuadër të nismës “Një Shëndet”, për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi rëndësinë e konsumit të sigurt të ushqimit dhe lidhjen e tij me mirëqenien njerëzore, mjedisore dhe veterinare.

Në përmbyllje të aktivitetit, pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitojnë stendat e produkteve bio, të shijojnë produktet vendase, të këshillohen drejtpërdrejt me prodhuesit dhe të marrin materiale informuese për praktikat më të mira të ushqyerjes. Eventi u mbyll me një falënderim të përzemërt për të gjithë pjesëmarrësit dhe me një thirrje të qartë për veprim: të zgjedhim me kujdes atë që vendosim në tryezën tonë, sepse ushqimi është jo vetëm kënaqësi, por edhe përgjegjësi për shëndetin tonë.

Ky organizim shënoi një tjetër hap në përkushtimin e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor për t’u afruar me komunitetin dhe për të ndërtuar një kulturë të re, ku siguria ushqimore trajtohet si themel i shëndetit dhe mirëqenies.