Në përgjigje të raportimeve të fundit në media lidhur me masat e dezinsektimit në qarkun e Lezhës, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) dëshiron të sqarojë sa vijon.
Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor (NJKSH) në Lezhë ka zbatuar rregullisht procedurat e dezinsektimit në përputhje me vlerësimet entomologjike të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në bashkëpunim me ekipe të specializuara nga NJVKSH. Ky proces përfshin trajtime larvicide, të cilat janë të provuara shkencërisht për të luftuar larvat e mushkonjave dhe për të minimizuar popullatën e tyre.
Është e rëndësishme të theksojmë se këto trajtime nuk synojnë zhdukjen e plotë të mushkonjave, por reduktimin e ndjeshëm të numrit të tyre, veçanërisht në zonat e identifikuara si vatra problematike. Qëllimi kryesor është ulja e bezdisë nga pickimet e mushkonjave, veçanërisht gjatë sezonit turistik, si dhe minimizimi i rrezikut nga sëmundjet që transmetohen nga këto vektorë.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor mbetet i përkushtuar për të siguruar shëndetin dhe mirëqenien e të gjithë banorëve dhe vizitorëve. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën dhe të bashkëpunojmë me autoritetet lokale për të adresuar çdo shqetësim shëndetësor publik me efektivitet dhe në kohë.
Për informacion shtesë ose sqarime të mëtejshme, ju lutemi kontaktoni OSHKSH.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale