Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dëshiron të adresojë shqetësimet e ngritura së fundi në lidhje me Qendrën Shëndetësore të Cakranit në Fier. Në vijim të problematikave të evidentuara, Operatori Rajonal Vlorë, në koordinim me Njësinë Vendore të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Fier, ka ngritur një komision disiplinor për hetimin dhe marrjen e masave të duhura.
Është konfirmuar se një mjek i përgjithshëm familjeje, ka kryer shërbime shëndetësore në një klinikë private në orarin zyrtar të punës. Ky aktivitet nuk lidhet me fushën e tij profesionale në institucionet shëndetësore publike. Mjeku ka pranuar shkeljen dhe pasojat që vijnë me të. Komisioni disiplinor ka vendosur të marrë masë të rëndë disiplinore. Nëse kjo situatë do të përsëritet, çështja do t’i referohet Urdhrit të Mjekut për revokim të mundshëm të licencës.
Në lidhje me pretendimin për gjetjen e mbetjeve të rrezikshme spitalore brenda ambienteve të qendrës shëndetësore, e kuptojmë natyrën serioze të kësaj çështjeje. Duke pasur parasysh masat e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, përgjegjësia për menaxhimin e mbetjeve spitalore dhe mbarëvajtjen e ofrimit të kujdesit shëndetësor nga personeli mjekësor është e Drejtorit të Qendrës. Komisioni disiplinor ka vendosur të marrë masë të rëndë disiplinore.
Masat disiplinore shtrihen në të gjithë zinxhirin e menaxhimit për të siguruar llogaridhënie dhe respektim të standardeve profesionale. Operatori Rajonal Vlorë dhe Operatori Lokal Fier do të vazhdojnë të monitorojnë dhe rishikojnë praktikat për të parandaluar incidente të tilla në të ardhmen.
Dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë për mediat që na kanë sjellë në vëmendje këto çështje. Vigjilenca dhe përkushtimi i tyre ndaj gazetarisë investigative luan një rol vendimtar në ruajtjen e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin tonë të kujdesit shëndetësor.
Operator i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor