Më datë 18.11.2026, në ambientet e Drejtorisë Qendrore të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), u zhvillua një takim pune ndërmjet përfaqësuesve të OSHKSH-së dhe projektit SOLIDAR. Në takim morën pjesë znj. Rexhina Bici, Drejtor i Përgjithshëm i OSHKSH-së, së bashku me z. Afrim Azuni, z. Lorenc Hashorva dhe znj. Rolanda Merkuri. Nga ana e projektit SOLIDAR morën pjesë znj. Lina Brandt, z. Ervin Toçi, z. Filip Vila dhe znj. Mirela Çela. Gjatë takimit u diskutua mbi vijimësinë e bashkëpunimit ndërmjet palëve dhe mbështetjen që projekti do të ofrojë gjatë vitit të fundit të zbatimit të tij.

Që nga fillimi i projektit, OSHKSH ka qenë një nga institucionet kyçe të përfshira në zbatimin e tij, duke mbështetur koordinimin dhe realizimin e aktiviteteve në bashkëpunim me institucionet shëndetësore të varësisë.

Përmes këtij projekti, Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH), qendrat shëndetësore dhe spitalet bashkiake të përfshira kanë përfituar njohuri dhe aftësi profesionale në fushën e përgatitjes, menaxhimit dhe reagimit ndaj emergjencave shëndetësore. Një kontribut të rëndësishëm ka dhënë trajnimi i personelit shëndetësor dhe përgatitja e grupeve të trajnerëve përmes modelit Training of Trainers (ToT), duke krijuar mundësinë për zhvillimin e trajnimeve në kaskadë dhe transferimin e njohurive te personeli i institucioneve shëndetësore.

Gjatë vitit të fundit të zbatimit të projektit, mbështetja do të fokusohet në përmbylljen e aktiviteteve të nisura dhe konsolidimin e rezultateve të arritura. Në këtë kuadër, parashikohet përfundimi i trajnimeve për dy protokollet klinike që lidhen me menaxhimin e shokut anafilaktik dhe dhimbjes së gjoksit, si dhe hartimi i dy protokolleve të tjera për menaxhimin e urgjencave mjekësore.

Një tjetër aktivitet i rëndësishëm do të jetë organizimi i workshop-eve mbi epidemiologjinë e terrenit, me përfshirjen e strukturave të shëndetit publik. Në përfundim të këtyre aktiviteteve synohet hartimi i një instrumenti praktik, në të cilin do të përcaktohen përshkrimet e detyrave të punës (job descriptions), rolet dhe përgjegjësitë e strukturave përkatëse në përgatitjen dhe reagimin ndaj emergjencave shëndetësore.

Gjithashtu, metodologjitë dhe dokumentet udhëzuese të zhvilluara në kuadër të projektit do të mbeten në dispozicion të institucioneve shëndetësore, veçanërisht të qendrave shëndetësore me shërbim 24/7 dhe spitaleve bashkiake, për hartimin dhe përmirësimin e planeve të tyre të emergjencave.

OSHKSH do të vijojë të ndjekë me përparësi forcimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të NJVKSH-ve, qendrave shëndetësore, spitaleve bashkiake dhe strukturave të vetë Operatorit, duke synuar që njohuritë, metodologjitë dhe praktikat e përfituara gjatë zbatimit të projektit të kenë vazhdimësi edhe pas përfundimit të tij.

Ky bashkëpunim përbën një kontribut të rëndësishëm në rritjen e gatishmërisë së institucioneve shëndetësore për përballimin e emergjencave, forcimin e kapaciteteve të personelit dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit shëndetësor, me synim garantimin e një kujdesi shëndetësor sa më cilësor dhe pranë qytetarëve.