Tiranë, 30 shtator 2026 – Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, përfaqësuar nga Drejtoresha e Përgjithshme, znj. Jeta Deda, mori pjesë në Konferencën Kombëtare për Kujdesin Paliativ në Shqipëri, me temë “Bringing Science, Practice and Partnership Together”, zhvilluar në Aula Magna të Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Konferenca u organizua në frymën e European Palliative Care Day 2026, nën moton “Palliative Care: It’s About Living, Not Just Dying”, duke bashkuar përfaqësues të institucioneve shëndetësore, profesionistë të fushës, akademikë, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe organizata me përvojë në ofrimin e kujdesit paliativ.
Në hapje të konferencës u përcollën perspektivat strategjike për zhvillimin e një kujdesi paliativ të qëndrueshëm, të integruar dhe të përqendruar tek individi, me pjesëmarrjen e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Klodiana Spahiu, përfaqësuesve të Universitetit dhe Spitalit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Hospices of Hope dhe Ryder Albania.
Programi shkencor solli në vëmendje disa prej çështjeve kryesore që lidhen me zhvillimin e kujdesit paliativ, përfshirë bioetikën, dinjitetin njerëzor, autonominë dhe vendimmarrjen etike në sëmundjet e rënda, integrimin e kujdesit paliativ në trajtimin onkologjik, standardet e cilësisë dhe modelet ndërkombëtare të zhvillimit të këtij shërbimi.
Një hapësirë e veçantë iu kushtua konceptit të kujdesit të përqendruar tek personi, duke e parë pacientin përtej diagnozës dhe simptomave dhe duke përfshirë dimensionin fizik, psikologjik, social, familjar dhe emocional të kujdesit. Në program u trajtuan gjithashtu qasjet klinike për vlerësimin dhe menaxhimin e dhimbjes dhe simptomave, si elemente thelbësore të cilësisë së kujdesit paliativ.
Pjesëmarrja e OSHKSH-së në këtë aktivitet lidhet drejtpërdrejt me rolin e institucionit në organizimin dhe koordinimin e shërbimeve shëndetësore në territor dhe me nevojën për të forcuar më tej kujdesin në komunitet dhe pranë banesës së pacientit, veçanërisht për personat me sëmundje kronike të avancuara dhe nevoja komplekse shëndetësore.
Në këtë kuadër, zhvillimi i kujdesit paliativ kërkon një qasje të integruar ndërmjet kujdesit shëndetësor parësor, shërbimeve spitalore, kujdesit në banesë, profesionistëve të ekipeve multidisiplinare dhe familjes së pacientit, duke garantuar vazhdimësi të kujdesit dhe cilësi më të mirë të jetës.
Konferenca shërbeu gjithashtu si një platformë për shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave mes profesionistëve shqiptarë dhe ekspertëve ndërkombëtarë, mes të cilëve u trajtuan perspektiva nga Italia, Rumania dhe Mbretëria e Bashkuar, krahas përvojës së krijuar ndër vite nga Ryder Albania në ofrimin e kujdesit paliativ në komunitet.
OSHKSH mbetet e angazhuar në mbështetjen e modeleve që e afrojnë shërbimin shëndetësor me pacientin dhe familjen e tij, duke promovuar kujdesin e integruar, multidisiplinar dhe të orientuar nga nevojat individuale të pacientit.