Trajnim për menaxhimin e plagëve, fashot dhe mbështetjen e qepjeve

Në kuadër të projektit IADSA EmergiCare, më 6–7 korrik 2026 u zhvillua trajnimi “Menaxhimi i Plagëve, Fashot dhe Mbështetja e Qepjeve”, i dedikuar për infermierët dhe personelin mjekësor të kujdesit shëndetësor në qendrat shëndetësore të DROSHKSH Vlorë.

Në trajnim morën pjesë rreth 20 profesionistë shëndetësor, të organizuar në grupe të vogla pune për të mundësuar një qasje sa më praktike dhe ndërvepruese. Procesi u drejtua nga instruktorë të dedikuar, me fokus në demonstrimin, simulimin dhe praktikimin e drejtpërdrejtë të procedurave.

Gjatë trajnimit u trajtuan njohuritë bazë mbi llojet dhe vlerësimin e plagëve, identifikimin e shenjave të mundshme të komplikacioneve, përgatitjen e fushës sterile dhe përdorimin e sigurt të instrumenteve.

Një pjesë e rëndësishme iu kushtua praktikës së teknikave të qepjes dhe lidhjes së nyjeve, aplikimit të fashave të thjeshta dhe kompresive, mbrojtjes së plagëve, identifikimit të shenjave të infeksionit, si dhe teknikave të heqjes së qepjeve dhe dokumentimit të kujdesit ndaj pacientit.

Përmes simulimeve të rasteve praktike, pjesëmarrësit ushtruan të gjithë procesin e kujdesit për plagët, nga vlerësimi fillestar dhe përgatitja sterile, te asistenca gjatë procedurës, aplikimi i fashës dhe kujdesi pas procedurës.

Trajnimi synoi forcimin e aftësive praktike të personelit shëndetësor, parandalimin e gabimeve gjatë procedurave dhe zbatimin e praktikave të sigurta në menaxhimin e plagëve, në funksion të përmirësimit të cilësisë së kujdesit ndaj pacientëve.

Nëpërmjet bashkëpunimeve dhe trajnimeve të tilla, OSHKSH mbështet zhvillimin e vazhdueshëm profesional të personelit shëndetësor dhe forcimin e kapaciteteve në kujdesin shëndetësor parësor, me synim ofrimin e një shërbimi sa më të sigurt dhe cilësor për qytetarët.