Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) vijon të jetë një aktor kyç në forcimin e shërbimeve shëndetësore në shkolla, përmes angazhimit të drejtpërdrejtë në programin “Shkollat për Shëndetin”, një ndër iniciativat më të rëndësishme ndërsektoriale në fushën e promovimit të shëndetit dhe edukimit parandalues në vend.
Në kuadër të mbledhjes së Komitetit Drejtues të fazës së dytë të projektit, Drejtoresha e Përgjithshme e OSHKSH, znj. Jeta Deda, mori pjesë në diskutimet mbi progresin e arritur dhe orientimet strategjike për vijimësinë e ndërhyrjeve në nivel kombëtar . Gjatë ndërhyrjes së saj, ajo vlerësoi punën e konsiderueshme të realizuar ndër vite, duke theksuar se programi ka arritur të krijojë një bazë të qëndrueshme profesionale për ofrimin e shërbimeve shëndetësore në institucionet arsimore.
Sipas saj, një nga arritjet më të rëndësishme të këtij programi mbetet hartimi i manualeve profesionale për personelin shëndetësor që shërben në shkolla, të cilat kanë kontribuar në standardizimin e praktikës dhe rritjen e cilësisë së kujdesit. Në të njëjtën kohë, një rol vendimtar kanë luajtur trajnimet e vazhdueshme të mjekëve dhe infermierëve të shkollave, si dhe fuqizimi i specialistëve të promocionit shëndetësor, duke krijuar një qasje të integruar mes kujdesit shëndetësor dhe edukimit.
Drejtoresha e Përgjithshme theksoi se këto ndërhyrje nuk duhet të mbeten të izoluara në kuadër projektesh të përkohshme, por duhet të institucionalizohen dhe të bëhen pjesë e strukturave dhe politikave të qëndrueshme të sistemit shëndetësor dhe arsimor. Në këtë drejtim, OSHKSH ka luajtur një rol aktiv në integrimin gradual të këtyre praktikave në funksionimin e përditshëm të njësive vendore të kujdesit shëndetësor, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe institucionet partnere.
Megjithatë, znj. Deda shprehu keqardhjen për përmbylljen e programit në këtë fazë, duke theksuar se investime të tilla kërkojnë vazhdimësi për të garantuar ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të ngritura. Ajo nënvizoi se sistemi shëndetësor, për shkak të dinamikës së tij dhe rinovimit të vazhdueshëm të burimeve njerëzore, ka nevojë për mbështetje të qëndrueshme, veçanërisht në drejtim të monitorimit të shërbimeve dhe sigurimit të cilësisë së trajnimeve.
Në këtë kontekst, ajo bëri thirrje për angazhimin e donatorëve të tjerë ndërkombëtarë, me qëllim forcimin e mekanizmave të monitorimit dhe ndërtimin e kapaciteteve institucionale që nuk kufizohen vetëm në ofrimin e shërbimeve, por që garantojnë edhe standarde të larta cilësie dhe qëndrueshmëri në kohë.
Një rol thelbësor në suksesin e programit “Shkollat për Shëndetin” ka pasur mbështetja e vazhdueshme dhe profesionale e SDC – Swiss Development Cooperation, si dhe angazhimi i Save the Children Albania në implementimin në terren. Përmes një qasjeje të mirëstrukturuar dhe të orientuar drejt rezultateve afatgjata, këta partnerë kanë mundësuar jo vetëm zhvillimin e instrumenteve cilësore si manualet dhe modulet e trajnimit, por edhe ndërtimin e kapaciteteve reale në sistem, duke siguruar që ndërhyrjet të jenë të zbatueshme, të matshme dhe të qëndrueshme. Kontributi i tyre ka qenë vendimtar në krijimin e një modeli funksional bashkëpunimi ndërinstitucional dhe në vendosjen e standardeve të reja në promovimin e shëndetit në shkolla, duke e bërë këtë program një referencë të rëndësishme për politika publike të ardhshme.
OSHKSH mbetet e përkushtuar për të vijuar këtë qasje, duke punuar për integrimin e plotë të praktikave të mira të krijuara nga programi “Shkollat për Shëndetin”, në funksion të një sistemi shëndetësor më të fortë, më të qëndrueshëm dhe më pranë nevojave të qytetarëve.