Në kuadër të zbatimit të Projektit SOLIDAR, i cili synon forcimin e Shërbimeve të Urgjencës Mjekësore në nivelin e Kujdesit Shëndetësor Parësor, u zhvillua më 22 prill 2026 një aktivitet në terren me fokus nisjen e fazës pilot për shpërndarjen e pajisjeve digjitale dhe materialeve mbështetëse në institucionet shëndetësore përfituese. Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim ndërmjet OSHKSH dhe projektit SOLIDAR, ku OSHKSH u përfaqësua nga Drejtoresha e Përgjithshme Jeta Deda, ndërsa projekti SOLIDAR u përfaqësua nga Ervin Toci dhe Evis Sferdelli.

Faza pilot e ndërhyrjes nisi fillimisht në Qendra Shëndetësore 24/7 Kamëz, ku Drejtoresha e Qendrës Socio-Shëndetësore Kamëz Meribana Zela mirëpriti ekipin dhe u realizua dorëzimi i tabletëve, si dhe konfigurimi dhe testimi i tyre në kushte reale pune. Aktiviteti vijoi më pas në Qendra Shëndetësore 24/7 Fushë-Krujë, ku ishin të pranishëm Drejtori i Qendrës Shëndetësore Fushë-Krujë Bashkim Xhafa dhe Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Krujë Redion Roshi, duke vijuar me procesin e shpërndarjes dhe testimit të tabletëve, si dhe prezantimin e materialeve mbështetëse për stafin mjekësor.

Gjatë këtyre vizitave, u testua funksionaliteti i pajisjeve në kushte reale pune, si dhe u rikujtuan procedurat e regjistrimit digjital të të dhënave në përputhje me sistemin ekzistues të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, të përshtatur përmes modulit të zhvilluar nga LACONICS.

Në vijim të trajnimeve të avancuara të zhvilluara në kuadër të projektit, stafi mjekësor në këto qendra dhe në spitalet bashkiake përfituese u pajis gjithashtu me materiale referuese profesionale, përfshirë manuale dhe algoritme praktike për menaxhimin e urgjencave traumatike dhe kardiake. Aktiviteti shërbeu njëkohësisht edhe për mbledhjen e feedback-ut përmes një pyetësori monitorimi dhe vlerësimi, me synim përmirësimin e mëtejshëm të procesit të zbatimit në fazat pasuese.

OSHKSH mbetet një aktor kyç në mbështetjen dhe promovimin e nismave të tilla, duke kontribuar në modernizimin e shërbimeve shëndetësore, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe rritjen e cilësisë së kujdesit për qytetarët në të gjithë vendin.

Ky aktivitet përbën një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve të urgjencës mjekësore në vend, duke vendosur bazat për një shtrirje më të gjerë të ndërhyrjes në të gjitha institucionet përfituese në vijim.