Në kuadër të zbatimit të projektit SOLIDAR “Forcimi i kapaciteteve të qeverisjes dhe menaxhimit për gatishmërinë, reagimin ndaj emergjencave shëndetësore dhe qëndrueshmërinë e sistemit në Shqipëri”, pranë Drejtorisë Qendrore të OSHKSH-së u zhvilluan takime prezantuese ndërmjet përfaqësuesve të projektit dhe drejtuesve të institucionit. Në këto takime morën pjesë përfaqësuesit e SOLIDAR, z. Filip Vila, znj. Mirela Cela, eksperti gjerman Lars Kyburg, si dhe ekspertet znj. Elona Gjebrea dhe znj. Gertjana Hasalla, ndërsa nga OSHKSH-ja ishin të pranishëm Drejtoresha e Përgjithshme, znj. Jeta Deda, Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme, znj. Fleura Truja, Drejtoresha e Drejtorisë së Financave dhe Shërbimeve Mbështetëse, znj. Hygerta Goxhaj, Drejtoresha e Drejtorisë së Racionalizimit të Kujdesit Shëndetësor, znj. Rolanda Mërkuri, Drejtori i Drejtorisë së Racionalizimit të Kujdesit Shëndetësor, z. Hermes Xhemalaj, Drejtori i Drejtorisë së Ofrimit të Kujdesit Shëndetësor, z. Lorenc Hashorva, si edhe përfaqësues të tjerë të këtyre drejtorive.
Gjatë takimeve u prezantuan objektivat e bashkëpunimit dhe u diskutuan hapat e parë të punës së përbashkët, e cila synon mbështetjen e OSHKSH-së në forcimin e kapaciteteve institucionale për planifikim, menaxhim, monitorim, vlerësim dhe organizim të shërbimeve shëndetësore, me fokus përgatitjen dhe reagimin ndaj emergjencave shëndetësore, në përputhje me Planin Strategjik 2025–2030.
Bashkëpunimi ndërmjet OSHKSH-së dhe projektit SOLIDAR do të zhvillohet në tre komponentë kryesorë. Komponenti i parë lidhet me rishikimin institucional dhe mbështetjen për planifikim, në kuadër të të cilit do të analizohet zbatimi i Planit Strategjik 2025–2030, kuadri ligjor dhe politikat ekzistuese për emergjencat shëndetësore, me synim hartimin e një raporti vlerësimi që identifikon boshllëqet dhe prioritetet për përmirësim. Komponenti i dytë përqendrohet në ngritjen e kapaciteteve përmes vlerësimit të nevojave për trajnim të stafit dhe hartimit të paketave trajnuese me materiale praktike dhe sesione të personalizuara, për të forcuar aftësitë në planifikim, monitorim dhe reagim ndaj emergjencave. Komponenti i tretë parashikon zhvillimin e sesioneve të përbashkëta të punës për hartimin e mjeteve konkrete, kornizave dhe planeve të veprimit në fusha si forcimi i sistemit të monitorimit, menaxhimi financiar dhe planifikimi i burimeve, përmirësimi i Sistemit të Informacionit Shëndetësor (HIS), si dhe racionalizimi i shpërndarjes së shërbimeve shëndetësore.
Në vijim të këtij procesi, aktivitetet e përbashkëta do të shërbejnë për konsolidimin e mekanizmave të brendshëm të menaxhimit dhe përmirësimin e kapaciteteve të OSHKSH-së në funksion të një sistemi shëndetësor më të qëndrueshëm, të koordinuar dhe të orientuar ndaj përballimit të emergjencave shëndetësore.
