Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) mori pjesë në një aktivitet dy-ditor me fokus bashkëpunimin rajonal dhe fuqizimin e burimeve njerëzore në sektorin e shëndetësisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky aktivitet organizohej nga Këshilli Rajonal i Kooperimit (Regional Cooperation Council, RCC) me mbështetjen e Bankës Botërore në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Aktiviteti mblidhte profesionistë të politikëbërjes, ministra, deputetë, akademikë, drejtues institucionesh dhe ekspertë të Ballkanit Perëndimor në çështjet e arsimit, shëndetësisë dhe menaxhimit shëndetësor e burimeve njerëzore.
Në këtë aktivitet, OSHKSH u përfaqësua nga Drejtoresha e Përgjithshme, znj. Jeta Deda, dhe Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme, znj. Fleura Truja, të cilat kontribuan në diskutimet mbi zhvillimin e politikave të përbashkëta për përmirësimin e arsimit mjekësor dhe rritjen e aksesit në shërbime cilësore shëndetësore në rajon.
Gjatë takimit u diskutuan sfidat e përbashkëta që hasin vendet e rajonit, si mungesa e profesionistëve të shëndetësisë, nevoja për përafrimin e kurrikulave universitare dhe domosdoshmëria për të krijuar mekanizma të qëndrueshëm për mobilitetin e mjekëve dhe infermierëve.
Në fjalën e saj, znj. Deda theksoi rëndësinë e një qasjeje të integruar rajonale, duke nënvizuar se: “Shëndetësia nuk njeh kufij dhe sfidat tona janë të përbashkëta. Vetëm përmes bashkëpunimit rajonal mund të ndërtojmë sisteme më të forta dhe më të qëndrueshme, duke investuar në kapitalin njerëzor dhe duke krijuar mundësi reale për profesionistët tanë.”
Një nga propozimet kryesore të diskutuara gjatë aktivitetit ishte krijimi i një platforme të përbashkët rajonale për profesionistët e shëndetësisë, e cila do të mundësonte: publikimin në kohë reale të vendeve vakante në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, lehtësimin e aplikimit dhe punësimit ndërkufitar, krijimin e një sistemi të integruar informativ për menaxhimin e burimeve njerëzore.
Gjithashtu, u diskutua mbi mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërmjet universiteteve të mjekësisë për përafrimin e kurrikulave dhe njohjen reciproke të diplomave, si një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një tregu të përbashkët pune në shëndetësi.
Pjesëmarrja e OSHKSH në këtë aktivitet konfirmon angazhimin e institucionit për të qenë pjesë aktive në nismat rajonale që synojnë modernizimin e sistemeve shëndetësore dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
OSHKSH mbetet e përkushtuar për të kontribuar në zhvillimin e politikave inovative dhe për të mbështetur iniciativat që forcojnë rolin e Shqipërisë si një aktor aktiv dhe bashkëpunues në rajon.