Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor mori pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit SPACE, të financuar nga Bashkimi Europian dhe të zbatuar nga Together for Life, në bashkëpunim me BIRN Albania, Qëndresa Qytetare dhe Qendrën për Ekselencë “Destiny”. Konferenca u zhvillua si një forum reflektimi mbi transparencën, llogaridhënien dhe qeverisjen e mirë në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit.

Gjatë diskutimeve, Drejtorja e Përgjithshme e OSHKSH, znj. Jeta Deda, prezantoi modelin e ri të transparencës dhe llogaridhënies që institucioni po ndërton dhe po zbaton. Ky model synon shmangien e qendërzimit të informacionit dhe komunikimit të filtruar, duke promovuar bashkëpunimin e drejtpërdrejtë me median dhe organizatat e shoqërisë civile, si partnerë në procesin e përmirësimit të shërbimeve publike.

U theksua se projekte të tilla kanë shërbyer për OSHKSH edhe si mekanizma të vlefshëm auditimi të jashtëm, duke ofruar vlerësime të pavarura për procese të caktuara dhe duke kontribuar në identifikimin e dobësive strukturore, boshllëqeve procedurale dhe hapësirave konkrete për përmirësim, përtej kontrolleve formale dhe mekanizmave të brendshëm.

Njëkohësisht, u evidentuan sfidat që lidhen me shtrirjen e këtij modeli në të gjitha nivelet e varësisë së OSHKSH, përfshirë kujdesin parësor dhe spitalor, administratën rajonale dhe vendore, si dhe nevojën për konsolidimin e praktikave të transparencës në territor, në përputhje me kapacitetet dhe kontekstin lokal.

Gjatë diskutimeve u trajtua gjithashtu roli i rajonalizimit të shërbimeve shëndetësore, jo vetëm si reformë organizative, por edhe si instrument për riformësimin e pikave të gravitetit demografik, me qëllim afrimin e shërbimeve me komunitetet dhe nxitjen e zhvillimit të balancuar territorial.

OSHKSH riafirmon angazhimin për ndërtimin e një modeli qeverisjeje të hapur, bashkëpunuese dhe të bazuar në prova, ku transparenca, llogaridhënia dhe dialogu i vazhdueshëm me shoqërinë civile përbëjnë elementë thelbësorë të forcimit të institucioneve publike dhe përmirësimit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët.