Deklaratë për media
Tiranë, 5 nëntor 2025
Lirim i menjëhershëm nga detyra i mjekut të QMF Nr.10, Tiranë, pas shkeljes së rëndë të etikës profesionale
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) njofton se, pas publikimit të pamjeve filmike në emisionin “STOP”, që tregojnë veprime dhe komunikime të papërshtatshme në ambientet e Qendrës së Mjekësisë Familjare Nr.10, Tiranë, është marrë masa e menjëhershme e lirimit nga detyra të mjekut S.M..
Vendimi është marrë në përputhje me Kodit e Punës dhe Rregulloren e Brendshme të OSHKSH, të cilat përcaktojnë se çdo sjellje që cenon rëndë etikën profesionale dhe parimet e mirëbesimit përbën shkelje të rëndë disiplinore dhe sjell zgjidhjen e menjëhershme të marrëdhënies së punës.
OSHKSH dënon çdo sjellje që bie ndesh me etikën mjekësore dhe dinjitetin e profesionistit shëndetësor, dhe siguron qytetarët se çdo rast i ngjashëm do të trajtohet me transparencë dhe masa të menjëhershme, në mbrojtje të besimit dhe integritetit të sistemit publik të kujdesit shëndetësor.