Më datë 22–25 korrik 2025, në Tiranë u zhvillua një trajnim me temën “Ide dhe zgjidhje për përmirësimin e kujdesit shëndetësor emergjent në Shqipëri”.
Ky trajnim mblodhi bashkë profesionistë të shëndetësisë, përfaqësues të institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile (OSHC) nga e gjithë Shqipëria, me synimin për të diskutuar dhe gjeneruar ide të reja për një sistem shëndetësor më të përparuar, gjithëpërfshirës dhe të aksesueshëm për të gjithë qytetarët.
Të pranishëm në këtë trajnim ishin edhe përfaqësuesit e Drejtorisë Qendrore të OSHKSH: Denis Iliasi, Elena Gjinaj dhe Dorian Sevo, të cilët kontribuan aktivisht në punën me grupet dhe në prezantimin e ideve inovatore.
Ky trajnim u fokusua në eksplorimin dhe zhvillimin e ideve të reja për transformimin e sistemit shëndetësor shqiptar, me theks të veçantë tek përfshirja e teknologjisë së avancuar dhe krijimi i një shërbimi shëndetësor më të aksesueshëm, gjithëpërfshirës dhe efikas.
Në qendër të diskutimeve ishte nevoja për ndërtimin e një shërbimi shëndetësor digjital, i cili do t’u mundësonte qytetarëve akses të drejtpërdrejtë dhe të thjeshtuar në shërbimet mjekësore, përmes një platforme unike dhe të centralizuar.
Gjatë katër ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime, punë në grupe dhe prezantime të ideve të reja, të cilat synonin përmirësimin e shërbimit shëndetësor përmes risive teknologjike dhe përdorimit të inteligjencës artificiale.
Ndër propozimet më të rëndësishme ishte transformimi i strukturës fizike të qendrave shëndetësore, për t’i kthyer ato në ambiente më funksionale dhe më të përshtatshme për pacientët. Qëllimi është krijimi i një përvoje më të mirë dhe më dinjitoze për çdo qytetar që kërkon ndihmë shëndetësore.
Një tjetër fokus i rëndësishëm ishte përfshirja e teknologjisë për të garantuar akses dhe siguri më të lartë për personat me nevoja të veçanta, veçanërisht për personat e verbër. Përmes përdorimit të pajisjeve elektronike dhe inteligjencës artificiale, synohet ofrimi i informacionit të menjëhershëm dhe të saktë për këtë kategori gjatë situatave emergjente, duke rritur ndjeshëm autonominë dhe mirëqenien e tyre.
Gjithashtu, u diskutua gjerësisht digjitalizimi i plotë dhe unifikimi i sistemit shëndetësor në një platformë të vetme kombëtare. Një sistem i tillë do të integrojë të dhënat, historikun mjekësor dhe aksesin në shërbime, duke e bërë procesin më transparent, më të shpejtë dhe më efikas për qytetarët dhe profesionistët e shëndetësisë.
Roli dhe interpretimi i ideve përmes skenarëve praktikë e bënë edhe më të prekshme dhe të kuptueshme rëndësinë e çdo propozimi. Kjo përvojë shërbeu si një platformë për të gjeneruar ide konkrete dhe të aplikueshme në të ardhmen e afërt në sistemin shëndetësor shqiptar.