Më 20 qershor 2025, Spitali Rajonal Dibër organizoi një takim të rëndësishëm, ku u mblodhën ekspertë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përfaqësues të Drejtorisë Qendrore të OSHKSH-së, si dhe profesionistë nga Spitali Rajonal Dibër dhe Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Dibër.
Ky takim, i mbështetur nga OBSH-ja në bashkëpunim me OSHKSH-në, u mbajt në kuadër të përzgjedhjes së Spitalit Rajonal Dibër si një nga dy spitalet pilot për zbatimin e projektit që synon zëvendësimin gradual të pajisjeve mjekësore që përmbajnë mërkur, me qëllim krijimin e një mjedisi më të sigurt për pacientët dhe stafin mjekësor.
Gjatë takimit u ritheksua rëndësia e zbatimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 442, i cili parashikon ndalimin e eksportit dhe përdorimit të mërkurit pas vitit 2025, në funksion të përmbushjes së standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare për sigurinë shëndetësore dhe mbrojtjen e mjedisit.
Ekspertët e OBSH-së prezantuan dhe udhëzuan pjesëmarrësit mbi mënyrën e plotësimit të formularit standard për inventarizimin e pajisjeve që përmbajnë mërkur.
U diskutuan gjithashtu procedurat e sigurta për largimin dhe menaxhimin e kontrolluar të pajisjeve që përmbajnë mërkur, duke përfshirë përdorimin e pajisjeve mbrojtëse personale dhe respektimin e protokolleve përkatëse gjatë procesit të eliminimit.
Po ashtu, u dhanë detaje mbi kriteret teknike dhe dokumentacionin e nevojshëm për pajisjet e reja që do të zëvendësojnë ato ekzistuese.
Brenda një afati prej 10 ditësh, në Spitalin Rajonal Dibër do të kryhet inventarizimi i plotë i pajisjeve që përmbajnë mërkur, në mënyrë që zëvendësimi i tyre të realizohet pa cenuar cilësinë e shërbimit shëndetësor.
Drejtoria Qendrore e OSHKSH-së do të vazhdojë të luajë një rol kyç në drejtimin dhe mbikëqyrjen e këtij projekti ambicioz, duke siguruar efikasitet dhe koordinim ndërinstitucional. Ky është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi shëndetësor më të pastër dhe më të sigurt për të gjithë.