Më datë 19 qershor 2025, Projekti HAP – Health for All, në bashkëpunim me Operatorin e Kujdesit Shëndetësor, organizoi një konsulencë me Dr. Rembrant Aarts, ekspert ndërkombëtar në fushën e shëndetit mendor. Qëllimi i takimit ishte mbështetja e procesit të integrimit të shërbimeve të shëndetit mendor në Kujdesin Shëndetësor Parësor, në zbatim të Planit të Veprimit për Shëndetin Mendor 2023–2026.
Në këtë aktivitet morën pjesë profesionistë të fushës, përfshirë mjekë, psikologë dhe punonjës socialë që ofrojnë shërbime të shëndetit mendor, si dhe përfaqësuese nga Drejtoria Qendrore e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor, znj. Klea Pashollari dhe znj. Ana Selimaj.
Gjatë takimit u zhvillua një analizë e detajuar SWOT mbi ofrimin e shërbimeve të shëndetit mendor në nivelin parësor, duke u mbështetur në përvojat konkrete të profesionistëve të përfshirë në këtë fushë. Diskutimet u përqendruan në disa drejtime kryesore, përfshirë:
- integrimin efektiv të shërbimeve të shëndetit mendor në strukturat ekzistuese të kujdesit parësor;
- vlerësimin e kapaciteteve dhe aftësive profesionale të psikologëve në ofrimin e shërbimeve cilësore;
- forcimin e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve shëndetësorë në kuadër të grupeve multidisiplinare në qendrat shëndetësore;
- si dhe vlerësimin e nevojave për trajnime të mëtejshme për stafet mjekësore, me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve të ofruara.
Vizita e Dr. Aarts kishte për qëllim ofrimin e një vlerësimi objektiv dhe profesional të situatës aktuale në nivel vendor, duke sjellë një sërë rekomandimesh të vlefshme për forcimin e mëtejshëm të integrimit të shëndetit mendor në kujdesin parësor në Shqipëri. Ky proces synon rritjen e cilësisë së shërbimeve, përmirësimin e aksesit për pacientët dhe garantimin e qëndrueshmërisë së ndërhyrjeve në këtë fushë me rëndësi të veçantë për shëndetin publik.