Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor në vijim të lajmit të publikuar në media lidhur me shërbimet shëndetësore në Bashkinë Pustec bën me dije se mjekët specialistë angazhohen në bazë të nevojave dhe sëmundshmërisë nga njësitë vendore të kujdesit shëndetësor, duke siguruar kujdesin e nevojshëm sipas referimeve të marra nga mjekët e përgjithshëm.
Mjekët e përgjithshëm në zonat e Goricës së Madhe dhe Pustecit nuk ofrojnë vetëm ndihmë të parë, por kryejnë kontrolle të rregullta dhe ndjekin pacientët me sëmundje kronike, duke siguruar një vazhdimësi të kujdesit shëndetësor për popullsinë lokale. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në menaxhimin e shëndetit publik dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve në këtë zonë.
Gjithashtu, mjekët specialistë nga Devolli, Korça dhe zonat përreth, bazuar në referimet e marra, nuk kursejnë përpjekjet e tyre për të ofruar kujdes shëndetësor cilësor, duke trajtuar me përkushtim pacientët që kanë nevojë për trajtim të specializuar. Ky sistem bashkëpunimi siguron që banorët e Pustecit të marrin kujdesin e duhur.
Mirëpresim angazhimin e kolegëve bullgarë, pavarësisht garantimit të këtij shërbimi edhe nga strukturat ekzistuese lokale e rajonale të qarkut Korçë.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor mbetet i përkushtuar për përmirësimin e aksesit në shërbimet shëndetësore dhe garantimin e cilësisë së kujdesit për të gjithë qytetarët, pavarësisht vendndodhjes së tyre.