Si pasojë e situatës së krijuar nga zjarret në disa zona të vendit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ngritur menjëherë mekanizmin e emergjencës për mobilizimin e të gjitha strukturave shëndetësore dhe logjistike në zonat e prekura.
Në këtë kuadër, Operatori i Shërbimeve te Kujdesit Shëndetësor, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitali Universitar i Traumës dhe të gjitha spitalet rajonale po veprojnë në koordinim të vazhdueshëm për mbështetjen operative të strukturave të përfshira në menaxhimin e emergjencës në vend.
Sot, Drejtoresha e Përgjithshme e OSHKSH Jeta Deda dhe Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme Elona Baloj, së bashku me Drejtoreshën e Operatorit Rajonal Vlorë Olta Ganaj, Drejtorin e Spitalit të Delvinës Izet Silaj dhe Drejtoreshën e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Delvinë Suela Zoto, zhvilluan takime me drejtuesit dhe stafet për të vlerësuar nga afër situatën dhe për të koordinuar masat për përballimin e emergjencës.
Gatishmëria është maksimale, falë bashkëpunimit me pushtetin vendor dhe me strukturat e mbrojtjes civile, me fokus mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe ofrimin e asistencës për komunitetet e prekura. Qendrat shëndetësore janë në gatishmëri të plotë për të ofruar kujdes për çdo rast emergjent. Ekipet mjekësore janë mobilizuar në terren ndërsa qindra mjete, përfshirë ambulanca janë vendosur për evakuimin dhe trajtimin e banorëve. Për të sëmurët kronikë të prekur nga kjo situatë, në dispozicion do të jenë edhe ilaçet që ata përdorin.
Garantimi i vazhdimësisë së shërbimit shëndetësor pa ndërprerje dhe ofrimi i ndihmës së menjëhershme për çdo qytetar në nevojë mbetet prioritet.